Izraeli sulm të koordinuar me SHBA në Teheran, Netanyahu: Regjimi iranian s’duhet të jetë i armatosur me armë bërthamore!
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka lëshuar një deklaratë të fortë pas sulmeve që ushtria e tij nisi drejt Teheranit, ku nënvizon se regjimi iranian nuk duhet të ketë armë bërthamore.
“Vëllezërit dhe motrat e mia, qytetarë të Izraelit, pak kohë më parë, Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës nisën një operacion për të eliminuar kërcënimin ekzistencial që paraqet regjimi terrorist në Iran,” tha ai.
Netanyahu falënderoi Presidentin Donald Trump për “lidershipin e tij historik” dhe theksoi se për 47 vjet regjimi i Ajatollahëve ka bërë thirrje “Vdekje Izraelit” dhe “Vdekje Amerikës”. Ai akuzoi regjimin për vrasje dhe masakra ndaj popullit të vet dhe tha se kjo kërcënon të gjithë njerëzimin nëse do të kishte armë bërthamore.
“Veprimi ynë i përbashkët do të krijojë kushtet që populli i guximshëm iranian të marrë fatin e tij në duart e veta,” shtoi ai, duke ftuar të gjitha segmentet e shoqërisë iraniane – persianët, kurdët, azerët, balukët dhe ahvazët – të hedhin poshtë tiraninë dhe të ndërtojnë një Iran të lirë dhe paqësor.
Netanyahu gjithashtu bëri thirrje ndaj qytetarëve izraelitë të ndjekin udhëzimet e Komandës së Frontit të Brendshëm dhe të tregojnë durim dhe guxim gjatë operacionit “Vrumbullima e Luanit”. “Së bashku do të qëndrojmë, së bashku do të luftojmë dhe së bashku do të sigurojmë përjetësinë e Izraelit,” përfundoi ai.