Trump i jep Medaljen e Nderit pilotit që mori pjesë në arrestimin e Maduros në Karakas

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump i dha Medaljen e Nderit pilotit Eric Slover, i cili mori pjesë në operacionin për arrestimin e Presidentit të Venezuelës, Nicolás Maduro.

Slover, një pilot 45-vjeçar i Ushtrisë Amerikane, u plagos në këmbë gjatë një operacioni në Karakas në fillim të janarit, por e pilotoi me sukses helikopterin dhe i mundësoi komandës të kryente misionin, duke shpëtuar jetën e shokëve të tij, raporton NBC News.

Ai u vlerësua me medaljen të mërkurën para një audience në Kongres, gjë që është e pazakontë sepse zakonisht jepet gjatë një ceremonie në Shtëpinë e Bardhë, sipas rrjetit televiziv amerikan.

Trump vlerësoi guximin dhe këmbënguljen e tij, duke vënë në dukje se aftësia e Slover për të ruajtur kontrollin e situatës pavarësisht dhimbjes ishte thelbësore për suksesin e misionit.

Presidenti amerikan nderoi gjithashtu pilotin 100-vjeçar të Marinës në pension, Royce Williams, për shërbimin e tij në Luftën Koreane, duke theksuar trimërinë e tij në luftime gjatë konflikteve të shumta, përfshirë Luftën e Dytë Botërore dhe Vietnamin.

Slover është i vetmi anëtar i njësisë që do të nderohet publikisht për këtë operacion, ndërsa pjesëmarrësit e tjerë do të nderohen në një ceremoni private në Shtëpinë e Bardhë, shtoi NBC.

Medalja e Nderit u jepet ushtarëve që “shfaqin në mënyrë të dukshme guxim dhe vendosmëri, duke rrezikuar jetën e tyre përtej detyrës”.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo