Mickoski në nënshkrimin e marrëveshjes me platformën ndërkombëtare “Lojëra Sportive për të Rinj” – Të rinjtë dhe sporti janë prioritet i Qeverisë
Në emrin tim dhe në emër të Qeverisë, ju uroj mirëseardhje të gjithë mysafirëve që sot janë me ne këtu në Qeveri, por edhe në Shkup.
Në emër të Qeverisë mund të them se jemi jashtëzakonisht të kënaqur dhe është nder për ne që mund të jemi pjesë e kësaj ngjarjeje, sepse si Qeveri i kushtojmë vëmendje të jashtëzakonshme politikave për investimin te të rinjtë.
Të gjithë jemi të vetëdijshëm se demografia paraqet një problem të përgjithshëm evropian dhe për këtë arsye është shumë e rëndësishme që të rinjtë, që nga mosha më e hershme, t’i edukojmë dhe t’i mësojmë se e ardhmja është në duart e tyre dhe se ashtu siç do të rriten ata, e tillë do të jetë edhe e ardhmja që do ta kenë dhe do t’ua lënë pasardhësve të tyre, atyre që një ditë do të jenë të rinj ashtu siç janë ata sot.
Gjëja e dytë që është e rëndësishme për ne si Qeveri është sporti, unë mund të flas si një sportist i pasuksesshëm në rininë time, megjithëse isha mjaft i suksesshëm si basketbollist kur isha adoleshent, atëkohë në klubin e basketbollit “Rabotniçki”, më kujtohet kur Pece përgatitej për transferimin në të atëhershmin “POP 84”, në fillim të viteve nëntëdhjetë, kampioni evropian i asaj kohe ishte, nëse nuk gaboj, së pari ishte “Jugoplastika”, e më pas si “POP 84” dhe mahniteshim me mënyrën se si ai luante në Parkun e Qytetit, në atë sallën e vogël të cilën tani e kemi rinovuar dhe si Qeveri kemi e mbështetur rinovimin e saj.
Më pas disi jeta më çoi në një trajektore tjetër, në një gjimnaz të shkencave natyrore-matematikore, e më pas në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike, më pas jashtë vendit për studimet master dhe ato të doktoraturës, si profesor universitar dhe tashmë dy vjet si kryetar i Qeverisë.
Por sporti mbeti brenda meje, nuk doli kurrë prej meje dhe për këtë arsye, si Qeveri, pasi bëmë ristrukturimin e Kabinetit, për herë të parë formuam Ministrinë e Sportit dhe po mësojmë së bashku me Borkon se si është të jesh Ministri e Sportit, sepse para kësaj Qeverie ishte agjenci.
Megjithatë, mendoj se ngadalë, por sigurtë, po i tejkalojmë sfidat fillestare dhe tashmë po vendosemi në shina dhe fillojmë të funksionojmë si një institucion që duhet të jetë shtylla kryesore e sportit jo vetëm në vend, por edhe në rajon.
Me këtë ngjarje po krijojmë sinergji mes këtyre dy prioriteteve të Qeverisë – të rinjtë, të cilët duhet ta mësojnë frymën sportive, të mësojnë fair-play, të respektojnë kundërshtarin, të mësojnë lojën ekipore, sepse në epokën e rrjeteve sociale jeta nuk është gjithçka që shihni, jeta është shumë beteja, jeta është lojë ekipore dhe nëse doni të jeni të suksesshëm duhet t’i mësoni këto gjëra.
Ka edhe sporte individuale, por në përgjithësi unë e kuptoj jetën si një lojë të përbashkët ekipore dhe si shoqëri dhe të jemi mbështetja për njëri-tjetrin.
Jam i bindur se këto dhjetëra mijëra fëmijë të rinj që në muajt në vijim do të garojnë nëpër shkollat e vendit do të rriten në njerëz që me dinjitet do ta promovojnë dhe do ta duan atdheun e tyre dhe të njëjtën gjë do ta përcjellin edhe te gjeneratat që më pas do të garojnë nëpër shkollat e vendit.
Edhe një herë falënderoj organizatorin, falënderoj të gjitha këto emra vërtet të mëdhenj të sportit nga rajoni që sot janë këtu me ne në Qeveri, në Shkup dhe unë mund të premtoj se do ta përfaqësojmë me dinjitet këtë projekt në vend.
Jam i bindur se të rinjtë që do të arrijnë deri këtu do të jenë përfaqësues të denjë të sportit maqedonas në lojërat finale në Split këtë verë, në muajin gusht.