A po tallet Albin Kurti me shqiptarët në RMV?

Nafie Selmani

Media të caktuara raportojnë se Albin Kurti paska insistuar që pas dy kryetarëve të VLEN-it, posti i parë më i lartë, Sekretari i VLEN-it, t’i besohet Bekim Qokut. Nëse kjo është e vërtetë, atëherë kemi të bëjmë me një mesazh politik që kërkon sqarim serioz, jo me një detaj organizativ partiak.

Pas një sërë gafesh publike, paraqitjesh skandaloze në media dhe akuzash për përfitime të pajustifikuara si deputet për udhë të pabëra, insistimi i Kurtit, për ta vendosur në një nga pozitat më të larta partiake Qokun, është fyerje për ne shqiptarët që jetojmë këtu që nuk mund të kalojë pa reagim. Një figurë që është bërë objekt talljeje publike për mungesë maturie e qëndrime politike, nuk mund të imponohet si figurë organizimi e serioziteti politik.

Nëse një deputet, i njohur për deklarime nënçmuese në anektoda ndaj vetë shqiptarëve si njerëz me qasje shkatërruese, për paqartësi qëndrimesh politike dhe mungesë strukture reale mbështetëse, të insistohet për post kaq të lartë, atëherë pyetja e natyrshme ëshzë: kujt i shërben kjo zgjedhje? A po i nënvlerëson Kurti fillimisht partnerët e tij (VLENIN), e pastak edhe gjithë shqiptarët në RMV?

Çfarë porosie po përçon ai me këtë lëvizje?
Se shqiptarët këtu duhet të pranojnë çdo imponim nga jashtë? Se ne nuk meritojmë përfaqësim politik më dinjitoz sesa një figurë si ajo e Qokut?
Se standardi i përfaqësimit mund të jetë minimal?

Albin Kurti si inteligjent që është duhet ta kuptojë se Shqiptarët në RMV nuk kanë nevojë për figura të kontestuara si shpërblim politik, por për përfaqësim dinjitoz, të artikuluar dhe me integritet.

Në fund, imponohet pyetja shumë korrekte: a është kjo strategji e menduar mirë, apo një gabim i rëndë në leximin e realitetit politik këtu?
Albin Kurti dhe partnerët e tij duhet ta dinë përgjigjen më së miri!

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo