Shkup, 26 shkurt – “E dimë që ka njerëz që për 7 mijë euro shesin fe dhe atdhe. Por duhet ta pranosh edhe ti se ka edhe të tillë që nuk shiten as për 700 mijë, as për 7 milionë”. Me këto fjalë, Lirim Dullovi, botues i gazetës KOHA, i është përgjigjur deputetit të VLEN-it, Bekim Qoku, pas akuzave të këtij të fundit se KOHA figuron ndër përfituesit më të mëdhenj të reklamave shtetërore.
Reagimi i Dullovit vjen pas një statusi të dytë publik të Qokut, në të cilin deputeti, sipas tij, ka lënë të kuptohet se “ne, deputetët e VLEN-it, nuk kemi ‘Beqa’ për të disiplinuar gazetarë e media”, një formulim që është interpretuar si mesazh me tone kërcënuese ndaj mediave.
Përgjigja e plotë i botuesit të gazetës KOHA, Lirim Dullovi:
Përgjigje Qokometrit II
Qoku, shifrat janë të sakta. Askush s’po i mohon.
Janë publike, të deklaruara, të kontraktuara sipas ligjit, të faturuara, të tatimuara dhe të kontrolluara nga institucionet përkatëse.
Pyetja është: pse je fiksuar vetëm te Koha dhe nuk e jep fotografinë e përgjithshme – të gjitha mediat, përfshirë edhe ato maqedone? Apo këtu s’ta mban t’i fusësh hundët?
Hallin ta pamë që herën e parë, kur ishte 0.78 për qind – e lëre më tani.
A nuk u binde për këto dy vjet se qëndrimi ynë editorial nuk varet as nga shifrat, e as nga presioni që po përpiqeni të ushtroni ndaj nesh me inspektime të shumta që nga dita e parë kur erdhët në pushtet?
Ne e dimë që ka njerëz që për 7 mijë euro shet fe dhe atdhe. Por duhet ta pranosh edhe ti se ka edhe të tillë që nuk shiten as për 700 mijë, as për 7 milionë.
Nuk është gjithçka te shifrat, Qoku. Por kur e lexon botën me “qokometër”, të duket sikur gjithkush ka çmimin në ballë dhe është në pazar.
Këtu e ke gabimin.
Prandaj e ke të pamundur ta pranosh se ka edhe njerëz që besojnë fuqishëm se dinjiteti nuk negociohet – e jo më të shitet. Por, siç duket, këtë s’ke për ta përvetësuar kurrë.
Shoh që më ke përmendur edhe muskujt. Ngadalë. Qetësohu.
Sepse, përveç dinjitetit dhe logjikës së shëndoshë, duket se edhe te muskujt ke deficit qoku.