Një ditë mësimi nën hijen e bombës së rreme





Nga Urim Saliu

Astriti zgjohet çdo mëngjes para agimit. Fshati i tij është ende në heshtje, dritat e shtëpive të pakta dhe rruga e lagur në dimër. Çantën e mban në shpinë, ndërsa në sy i lexohet një lodhje që nuk vjen nga mësimi, por nga frika.
Ai niset çdo ditë për të ndjekur ciklin e mesëm, me një ëndërr të thjeshtë, që të mësojë, të ecë përpara, të mos mbetet pas. Por këto ditë, rruga drejt shkollës nuk është më vetëm rrugë e dijes për të dhe shumë të tjerë. Është bërë rrugë ankthi.
Prej disa ditësh, mësimi është pezulluar nga kërcënimet e vazhdueshme për bomba. Telefonata anonime, alarme, evakuime. Të gjithë thonë se janë bomba të rrejshme. Të gjithë përpiqen ta thonë me bindje. Por kush mund ta dijë me siguri se një ditë nuk do të ndodhë ajo që nuk e do askush?
Makthi i vërtetë nis në derën e shtëpisë.
Nëna e Astritit e shikon në heshtje teksa rregullon xhaketën. Babai del me të deri në oborr. Askush nuk flet shumë. Fjalët janë të tepërta kur mendja është e mbushur me të njëjtën pyetje të pashprehur:
“A do të kthehet sot i sigurt në shtëpi?”
Prindërit i përcjellin fëmijët me frikë në sy, edhe pse përpiqen të buzëqeshin. Edhe pse u thonë: “Mos u bëj merak, janë vetëm alarmime të rreme.”
Sepse thellë në zemër, frika nuk bindet me fjalë.
Kur Astriti hyn në korridoret e shkollës, ai nuk mendon për orën e parë, as për testin, as për detyrat e papërfunduara.
Vëmendja e tij është diku tjetër.
Në çdo kënd.Në çdo derë.Në çdo çantë të lënë pak më gjatë pa pronar.
Makthi i nxënësve sot nuk është nota e dobët, por mendimi i heshtur se diku, mes zhurmës së hapave dhe zërave të shokëve, mund të fshihet një bombë që mund të plasë.
Askush nuk flet hapur për këtë frikë. Por të gjithë e ndjejnë.
Mësimi ka humbur ritmin. Orët ndërpriten, ditët shtyhen, temat mbeten pezull. Procesi mësimor po shndërrohet në një garë me kohën dhe me ankthin. Në vend që të mendojnë për të ardhmen, nxënësit mësohen të mendojnë si të mbijetojnë një ditë tjetër normale.
E gjithë kjo bëhet edhe më e rëndë në këtë muaj të shenjtë.
Në muajin e durimit, të qetësisë dhe të reflektimit.
Të shkosh në shkollë sot është një lloj torture e heshtur.
Të nisesh me shpresë dhe të kthehesh në shtëpi me pasiguri.
Astriti kthehet çdo pasdite në fshatin e tij, i lodhur, jo nga rruga, por nga tensioni. E hap çantën dhe e kupton se sot nuk ka marrë shumë dije. Ka marrë vetëm edhe një ditë frikë.
Në fund të ditës, ai është gjallë, është në shtëpi dhe kjo duket sikur është bërë lajmi më i mirë i ditës.
Por një nxënës nuk duhet të ndihet me fat që u kthye i sigurt.
Duhet të ndihet i pasur me dije.
Ndërsa Astriti, sot, si shumë nxënës të tjerë, është kthyer në shtëpi, një ditë më i varfër në mësim.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo