Shkëndija e Tetovës ka arritur në Turqi për ndeshjen e kthimit që do ta luajë me Samsunsporin në kuadër të fazës së plej of-it në Ligën e Konferencës. Kuqezinjtë udhëtuan drejt tokës turke me disavantazhin minimal 0:1 nga sfida e parë e zhvilluar javën e kaluar në Shkup, një rezultat që lë gjithçka të hapur për ndeshjen e kthimit. Skuadra tetovare synon përmbysjen e rezultatit për të vazhduar edhe më tej aventurën evropiane. Stafi teknik ka theksuar rëndësinë e përqendrimit maksimal dhe disiplinës taktike në një transfertë të vështirë si ajo në Turqi, ku pritet atmosferë e zjarrtë në stadium. Shkëndija do të zhvillojë nesër mbrëma seancën zyrtare stërvitore në stadiumin ku do të luhet takimi, ku trajneri Jeton Beqiri pritet të finalizojë formacionin dhe skemën taktike për sfidën vendimtare. Dueli ndërmjet Samsunsporit dhe Shkëndijës do të zhvillohet të enjten, me fillim nga ora 18:45.