Aliu: Kultivimi i kanabisit mjekësor duhet të jetë strikt sipas ligjit; 6 subjekteve u janë hequr licencat (VIDEO)
Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, mbajti sot një press- konferencë për të informuar mbi aksionin në zhvillim ndaj kompanive që posedojnë licencë për kultivimin e kanabisit për qëllime mjekësore, i cili mori edhe peshë shtesë institucionale pas mbledhjes së sotme të Qeverisë.
“Sot dërgojmë një mesazh se shteti nuk do të mbyllë më sytë aty ku ka dyshime për keqpërdorim të lejeve, lëshime në mbikëqyrjen institucionale dhe rrezik për interesin publik. Sektori i kultivimit të kanabisit për qëllime mjekësore duhet të funksionojë rreptësisht sipas ligjit, në mënyrë transparente, pa ‘zona gri’, pa të privilegjuar dhe pa të mbrojtur”, theksoi ministri Aliu.
Ai bëri të ditur se do të realizohen kontrolle të jashtëzakonshme të intensifikuara ndaj të gjitha subjekteve juridike, përkatësisht do të përfshihen gjithsej 43 subjekte. Kontrollet po zhvillohen në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Brendshme, Agjencinë për Barna dhe Pajisje Mjekësore (MALMED), Inspektoratin e Bujqësisë, Inspektoratin Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor, si dhe institucione të tjera kompetente.
Deri më tani janë kryer 13 kontrolle te subjekte të licencuara, ku në 6 prej tyre janë konstatuar parregullsi në veprim, në përputhje me Ligjin për kontrollin e drogave narkotike dhe substancave psikotrope. Për këtë arsye, Qeveria në mbledhjen e sotme mori vendim për heqjen e licencave për kultivimin e kanabisit për qëllime mjekësore për këto 6 subjekte juridike, sqaroi Aliu.
Vendimet e Qeverisë bazohen në gjetjet e kontrolleve të realizuara, ku janë konstatuar këto parregullsi:
-Ruajtje e papërshtatshme e lules së thatë, e cila është gjetur e hapur, pa vulosje përkatëse dhe pa u ruajtur në kuti kartoni sipas rregullores.
-Mosdorëzim i njoftimeve në komision për prodhimin, korrjen dhe shitblerjen e lules së thatë.
-Mosdorëzim i dokumentacionit të plotë dhe kontratave që lidhen me shitjen dhe transferimin e lules së thatë.
-Mospërputhje ndërmjet sasisë së regjistruar dhe asaj faktike të gjetur në dhomën e sigurisë (sef).
-Mosnjoftim brenda afatit prej tre ditësh për ndryshimet e ndodhura, sipas detyrimeve të përcaktuara me Ligjin për kontrollin e drogave narkotike dhe substancave psikotrope.
Ministri Aliu shtoi se qëllimi i këtyre kontrolleve të jashtëzakonshme është sigurimi i zbatimit të plotë të dispozitave ligjore, përmirësimi i mbikëqyrjes së prodhimit dhe qarkullimit, si dhe garantimi i funksionimit transparent dhe të ligjshëm të sektorit të prodhimit të kanabisit për qëllime mjekësore.
“Ky proces i kontrollit të prodhuesve të kanabisit për qëllime mjekësore zbuloi një sërë dobësish sistemike, por edhe indikacione për boshllëqe të qëllimshme në rregullore, të cilat mund të shfrytëzohen për keqpërdorime. Prandaj, pas përfundimit të kontrolleve te të gjitha 43 subjektet juridike dhe pas evidentimit të plotë të të gjitha anomalive, do të fillojmë përgatitjen e një rregullative të re dhe më të fortë ligjore për kultivimin e kanabisit për qëllime mjekësore. Si Qeveri jemi të vendosur të mos lejojmë asnjë mundësi të ardhshme për manipulime dhe keqpërdorime”, përfundoi Aliu.