Urim Saliu-Tetovasot
Kur flasim për ardhjen e Artan Grubit, mua personalisht nuk më intereson as momenti procedural dhe as zhvillimet që do të pasojnë në aspektin juridik, sepse deri në një verdikt përfundimtar nuk mund dhe nuk duhet të gjykojmë askënd. Ajo që më tërheq vëmendjen është simbolika e rikthimit të tij me buzëqeshje, me zhurmë publike dhe me të njëjtin intensitet me të cilin u largua disa muaj më parë. Nuk është thjesht mënyrë sjelljeje, por pjesë e identitetit të tij politik.
Figura e Grubit, pavarësisht polemikave, ka qenë një figurë me peshë reale në skenën politike. Ai dinte ta mbante vëmendjen, ta kontrollonte ritmin e debatit dhe ta shndërronte praninë e tij në një instrument ndikimi. Manovrimet e tij politike shpesh të drejtpërdrejta, ndonjëherë të ashpra i jepnin skenës një lloj dinamike që sot mungon. Ai ishte politikan i protagonizmit, jo i prapavijës.
Por ka edhe një anë tjetër të Artan Grubit, që rrallë përmendet në analizat publike, pra ajo që për shumë njerëz, për sa kohë mbante funksion të lartë shtetëror, ai ishte një derë e hapur. Një adresë ku shpresa kanalizohej përmes forcës politike që ai përfaqësonte. Pavarësisht gabimeve të tij sepse askush në politikë nuk është pa to për një numër të madh qytetarësh ai simbolizonte mundësinë për zgjidhje, ndërhyrje, apo thjesht për t’u dëgjuar.
Prandaj, përtej akuzave dhe proceseve që i takojnë drejtësisë, Artan Grubi mbetet një figurë që e ka shënjuar realisht politikën shqiptare në vend jo vetëm si zyrtar i lartë, por si aktor që dinte të prodhonte presion politik, të ndërtonte aleanca, të lëvizte prapaskena dhe njëkohësisht të mbante kontakt të drejtpërdrejtë me njerëzit. Rikthimi i tij me të njëjtën energji publike është, në thelb, rikthim i një stili politik , stil që, me të gjitha të mirat dhe të metat e veta, kishte intensitet, ndikim dhe fuqi mobilizuese.