“Viti i investimeve”, por jo për Teatrin dhe Bibliotekën në Tetovë

Dorëzimi i objektit – Teatri dhe Biblioteka e Tetovës vazhdon të qëndrojë i spostuar në listën e projekteve kapitale që po duhet të mbyllë Ministria e Kulturës dhe Turizmit. Programi 2026 për rikonstruktimin dhe ndërtimin e institucioneve nacionale, i publikuar nga MKT, është rreth 6.7 milionë euro (407 milionë denarë) për gjithsej 13 objekte, ku dy përfituesit më të mëdhenj nga buxheti i qeverisë janë Salla Universale dhe Teatri Turk. Përkatësisht rindërtimi i sallës Universale do të kushtojë 118 milionë denarë), Teatri Turk në Shkup me një shumë të ngjashme – mbi 105 milionë denarë për fazën instalime termoteknike, elektroteknike dhe hidroteknike, shkruan gazeta KOHA.

Teatri dhe Biblioteka e Tetovës, projekt që ashtu si Teatri Turk po zvarriten prej shumë vitesh ka përfituar shumë pak – vetëm 57 milionë denarë, më shumë sesa dy vitet e kaluara, por shumë larg fondeve të projektuara për përmbylljen e projektit. Madje kjo shumë është disa milionë denarë më pak nga shuma që MKT vuri në dispozicion në buxhetin që e prezantoi në Parlament në muajin dhjetor (72 milionë denarë).

Ky projekt mbetet i tillë, pavarësisht programeve ambicioze në kulturë, siç u shpreh minstri i Kulturës dhe Turizmit Zoran Lutkov se viti 2026 do të jetë vit i investimeve dhe nisjes së projekteve afatgjata, si dhe vit i rikonstruktimit dhe ndërtimit të institucioneve kulturore. Si projekte të tjera për këtë vit janë ndërtimi i “Teatrit të Vjetër” në Strumicë, rindërtimi i objektit të teatrit në Qendrën Kulturore “Trajko Prokopiev” – Kumanovë, rindërtimi i kinemasë “Partizan” në Manastir, fasada e Bibliotekës Universitare “Shën Klimenti i Ohrit”, foajeja e Teatrit Nacional, sanime tek Opera dhe Baleti, çatia tek Muzeu i Maqedonisë kompozim skulptural në Shkup, rindërtimin e teatrit në Shtip, qendrën kulturore “Marko Cepenkov” – Prilep, për dokumentacionin e projektit për rindërtimin e plotë të teatrit “Vojdan Çernodrinski”.

Projekti për ndërtimin e Teatrit dhe Bibliotekës në Tetovë kanë hyrë në vitin e 12-të të ndërtimit, ndërsa punimet e realizuara deri tani nuk kanë arritur as deri në gjysme të rrugës. Dinamika e punimeve ka ecur sipas fondit të akorduar nga buxheti i shtetit, që retushon zerot çdo vit.

Në total, kostoja e objektit është rreth 1.5 miliardë denarë, ndërsa Qeveria duhej të akordonte 300 milionë denarë për 2025 dhe 330 milionë denarë për vitin 2026. Deri tani Teatri dhe Biblioteka e Tetovës është thuajse në fillim të rrugës, mbikëqyrësit e projektit – Qendra e Kulturës në Tetovë pohojnë se realizimi i punimeve ka arritur deri në 31.5 për qind, në një shumë prej 389 milionë denarë. (koha.mk)

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo