Autoritetet në Nepal bënë me dije se një aksident tragjik, ku një autobus ra në humnerë, bëri që 19 persona të humbin jetën. Mes viktimave është edhe një 24-vjeçar britanik. Ngjarja ndodhi të hënën në orët e hershme të mëngjesit, kur autobusi, që po transportonte turistë, po udhëtonte drejt kryeqytetit Kathmandu nga Pokhara, një nga destinacionet më të njohura turistike të vendit.
Sipas policisë, autobusi humbi kontrollin dhe ra rreth 200 metra poshtë, duke përfunduar në bregun e lumit Trishuli, në distriktin qendror të Dhading. Në autobus ishin gjithsej 44 persona, përfshirë shoferin, nga të cilët 19 humbën jetën dhe 25 u plagosën. Zëdhënësi i policisë, Abinarayan Kafle, tha se 17 persona vdiqën menjëherë në vendin e aksidentit, ndërsa dy të tjerë ndërruan jetë gjatë trajtimit mjekësor në spital.
Mes të vdekurve dhe të plagosurve ka shtetas të ndryshëm, duke përfshirë një britanik, një shtetas kinez dhe një nga Zelanda e Re. Policia ka identifikuar deri tani nëntë nga të vdekurit, ndërsa të plagosurit janë dërguar në spitalet e Kathmandusë, ku po marrin trajtim intensiv. Autoritetet nepaleze kanë nisur hetimet për të kuptuar shkaqet e aksidentit, ndërkohë që Zyra e Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar është kontaktuar për informacione mbi qytetarin e tyre, që mbeti i vdekur.
Veset e princit Andrew s’kanë të ndalur, dyshohet për shpërdorime fondesh gjatë kryerjes së detyrës
Aksidentet rrugore janë relativisht të zakonshme në Nepal, për shkak të kushteve të vështira të akseve rrugore, mirëmbajtjes së dobët dhe rrugëve të ngushta malore që shpesh nuk janë të sigurta për automjetet e mëdha. Aksidenti i fundit ngjashëm ndodhi në vitin 2024, kur të paktën 14 persona vdiqën pasi një autobus që po udhëtonte nga Pokhara për në Kathmandu ra në lumin Marsyangdi.