SHOKUESE: Qytetarët e Maqedonisë vitin e kaluar shpenzuan 2,8 miliardë euro në bixhoz, kazino dhe bastoret
Qytetarët vitin e kaluar kanë paguar rreth 2.8 miliardë euro në kazino, bastore dhe klube me aparate, tregon analiza e emisionit “Biznes Objektiv”. Kjo shumë përfaqëson një rrjedhje të madhe financiare drejt industrisë së lojërave të fatit dhe hap pyetje serioze për pasojat ekonomike dhe sociale, njofton TS.
Sipas analizës, bëhet fjalë për një shumë të krahasueshme me një pjesë të konsiderueshme të buxhetit të shtetit, çka tregon sa i madh është ndikimi i industrisë së lojërave të fatit në rrjedhat financiare në vend. Disa ekspertë paralajmërojnë se ky nivel shpenzimi ka ndikim të drejtpërdrejtë në buxhetet familjare, në rritjen e borxheve dhe në varfëri.
Kazino dhe bastoret në vitet e fundit shënojnë rritje të vazhdueshme, të nxitur nga qasja e lehtë, platformat online dhe marketingu agresiv. Por paralelisht me rritjen e të ardhurave, shtohen edhe problemet që lidhen me varësinë nga bixhozi, borxhet familjare dhe pasojat sociale.
Megjithëse industria gjeneron të ardhura përmes taksave dhe licencave, ekonomistët paralajmërojnë se një pjesë e madhe e parave zhvendoset nga konsumi produktiv drejt një sektori që nuk krijon vlerë të re në ekonominë reale.
Analiza ngre gjithashtu çështjen e nevojës për rregulla më të rrepta, kufizimin e numrit të objekteve, kontrollin e bixhozit online dhe forcimin e programeve për parandalimin e varësisë.
Shuma prej 2.8 miliardë eurosh tregon qartë se industria e lojërave të fatit po bëhet një nga sektorët financiarë më të fuqishëm në vend – por edhe një nga më kontroversët./TS