Gjatë pushimeve të vazhdueshme të Festës së Pranverës 2026 të Kinës, janë shënuar rekorde të shumta në udhëtim, argëtim dhe konsum, pasi njerëzit në mbarë vendin po shfrytëzojnë plotësisht pushimet nëntë ditë radhazi.
Në pjesën e parë të pushimeve 9 ditore, kinezët përmbushën detyrimet familjare dhe pastaj filluan udhëtimet argëtuese në distanca të gjata, duke aktivizuar sektorët e hotelerisë, aviacionit dhe shërbimeve.
Periudha e udhëtimeve në kuadër të Festës së Pranverës, që zgjat nga 2 shkurti deri më 13 mars, pritet të përjetojë një rekord prej 9.5 miliardë udhëtime pasagjerësh ndër-rajonalë.
Një zhvillim kyç këtë vit është mobilizimi i “ekonomisë së argjendtë”, e shënuar nga një rritje e dukshme e rezervimeve të fluturimeve nga pasagjerët e moshës 60 vjeç e lart. Shumë prej këtyre udhëtarëve fluturojnë për herë të parë, për t’u ribashkuar me fëmijët e tyre në qytetet e mëdha.
Sipas të dhënave nga “Qunar”, një platformë kryesore e udhëtimeve, gjatë Festës së Pranverës 20% e udhëtarëve që fluturuan në Pekin ishin mbi 50 vjeç, ndërsa numri i udhëtarëve të moshës 60 vjeç e lart u rrit me 1.6 herë krahasuar me festën 2025.
Gastronomia dhe blerjet mbetën pjesa kryesore e Festës së Pranverës. Në katër ditët e para të festës, xhiro mesatare ditore në katering dhe shitje me pakicë u rrit 8.6% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, sipas Ministrisë së Tregtisë.
Përveç kësaj, turistët kinezë vizituan 475 qytete në mbarë botën gjatë kësaj feste. Ndërkohë destinacionet më të mirëpritura jashtë vendit ishin ato aziatike, ku distancat e udhëtimit janë më të shkurtra, politikat e vizave më të aksesueshme dhe temperaturat më të favorshme për pushime familjare, sipas platformës turistike “Qunar”. Destinacionet kryesore përfshinin Bangkokun, Kuala Lumpur dhe Seul.