Martina Gjorgjievska, bashkëshortja e kryetarit të Shkupit Orce Gjorgjievski, i ka hedhur poshtë pretendimet e LSDM se çanta që ajo mbante në raportim kushton 30.000 euro dhe ka kërkuar falje publike nga partia opozitare. Ajo thekson se çantën e ka blerë për 944 denarë, me zbritje.
“Në mungesë argumentesh, kur politika reduktohet në politikanizëm, SDSM në vend që të flasë për çështjet e rëndësishme për qytetarët dhe për atë që është bërë për Shkupin dhe shkupjanët, përfshin familje dhe persona që nuk janë drejtpërdrejt në politikë, madje edhe djalin tonë të mitur, vetëm për të tërhequr vëmendje. Për hir të së vërtetës, faktet janë këto: çanta ime nuk kushton 30.000 dollarë siç pretendon SDSM, as nuk është Hermès, por është blerë në dyqanin ‘Obuca Metro Maqedoni’, me zbritje për 944 denarë. Ajo nuk ka asnjë lidhje me brendin Hermès – as për nga origjina, as për nga çmimi, as për nga vlera, dhe as nuk mban mbishkrim të atij brendi. Nëse nuk besojnë, mund t’ua jap për verifikim, ose mund ta vizitojnë vetë dyqanin – ka produkte shumë të mira me çmime të përballueshme për njerëz që jetojnë thjesht dhe ndershëm. Ende ka në dispozicion model të njëjtë, në variant më të madh.”
Ajo kërkon falje publike për, siç thotë, të pavërtetat e paraqitura dhe tërheqjen e pretendimeve të rreme. Në të kundërt, paralajmëron se do të përdorë të gjitha mjetet ligjore për mbrojtjen e nderit dhe reputacionit të saj. “Politika nuk duhet të bëhet përmes gënjeshtrave dhe diskreditimeve personale!”, ka shkruar ajo në profilin e saj në Facebook.