Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi në emisionin “Për dhe kundër” në Televizionin Alfa ka folur edhe për raportet dhe bashkëpunimin me opozitën shqiptare në Kuvend, konkretisht BDI-në.
Në këtë frymë, nga dita e parë kur ka marrë detyrën si kryetar i Kuvendit, Gashi madje thotë se kjo kërkon distancim nga politikat ditore.
“Kur punoni në mënyrë të sinqertë, shumica e deputetëve të opozitës e dinë se dua të jem korrekt me të gjithë, duke respektuar kushtetutën dhe rregulloren. Ai bashkëpunim ekziston dhe kur bëhet fjalë për qëndrimet politike, ata kanë të veten. Këtu mundohem të jem korrekt me të gjithë”, tha Gashi.
Nuk jam i fokusuar te BDI
Lidhur me atë se pse humbi BDI në zgjedhjet lokale, Gashi me qëndrim:
“Është me rëndësi qasja, kam tentuar çdoherë të mos merrem me atë se çka bën kundërshtari im, por çka bëj unë. Edhe kur kam qenë kryetar partie, ideja ka qenë si partia ime të jetë më e mira dhe atë që mund të na besojnë qytetarët”, tha ai.
Lidhur me këtë temë ai më tej shton:
“Nuk jam shumë i fokusuar se pse BDI është në situatë të tillë, jam i fokusuar më shumë që VLEN të jetë një koalicion më stabil, të jemi të përfaqësuar në mënyrën më të mirë për gjithë qytetarët që na votuan, të luftojmë korrupsionin, kjo është qasja ndaj politikës”, ka thënë ai.
Ka atmosferë pozitive në VLEN
Lidhur me bashkimin e VLEN-it në një parti, Gashi thotë se ajo do të bëhet një, ose hipotetikisht të mbetet kështu siç është, por nuk ka skenarë të keq në këtë.
Ai shton se VLEN do të jetë edhe gjatë në skenën politike dhe do ta rrisim cilësinë e përfaqësimit politik të shqiptarëve në vend.
“Ka atmosferë shumë pozitive në VLEN, është shumë homogjene. Jam i kënaqur se si grupi parlamentar i VLEN funksionon dhe atë perceptim e kemi edhe në qeveri. Duam të shkojmë në homogjenizim të VLEN, si një parti, të kemi politika të mirë kadrovike dhe paraqesim qytetarët në mënyrën më të mirë”, ka thënë Gashi.