Qoku për Rezolutën për UÇK-në: BDI e përdor për pikë politike, VLEN jep votën në Kuvend

Bekim Qoku

VLEN ka deklaruar publikisht se e mbështet Rezolutën e dorëzuar në Kuvend për krerët e UÇK-së. Ne vlerësojmë se Lufta Çlirimtare e Kosovës është luftë e drejtë dhe e pastër, një luftë për mbrojtjen e pragut të shtëpisë. Nuk ka asgjë që mund ta njollosë këtë luftë dhe luftëtarët e saj.
Në këtë çështje besoj se të gjithë shqiptarët janë unikë. Këtu nuk ka dallime partie, feje apo bindjesh politike.

VLEN, me praninë e deputetëve në seancën e Komisionit ku u diskutua kjo pikë e rendit të ditës, dëshmoi qartë përkrahjen e vet.
Dhe vota është ajo që numërohet në kuvend.
Por pa harruar që partia që erdhi në pushtet falë Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare dhe që e mbajti pushtetin për 22 vjet, nuk bëri asgjë për veteranët e luftës, për UÇK-në në përgjithësi. Shumica prej tyre u detyruan ta braktisin vendin për të siguruar bukën e gojës. Një pjesë e tyre kanë mbetur rrugëve.

BDI për 22 vjet në pushtet ka miratuar Ligjin për branitellat dhe ka votuar ndryshimet e atij ligji gjashtë herë gjatë kohës sa ishte në pushtet. Propozim ndryshimi i shtatë, i parashtruar në kohën kur VLEN ishte në qeveri, u pengua dhe ka mbetur ende pezull.
Po ashtu duhet theksuar se Ali Ahmeti personalisht, por as BDI, nuk kanë ndërmarrë asnjë hap kundër kësaj gjykate që nga themelimi i saj në vitin 2016. As atëherë kur, siç vetë krenohen, kishin gjysmën e qeverisë dhe madje edhe kryeministrin teknik, pjesëmarrës në UÇK.
Ai nuk ka denjuar as t’i vizitojë krerët e UÇK-së në Hagë. Herën e vetme që ka qenë atje ka shkuar si dëshmitar, ndërsa për dëshmitë e tij nuk dihet publikisht asgjë.
Madje Ali Ahmeti është mburrur se ka qenë i përkushtuar dhe ka lobuar fuqishëm për t’i bindur deputetët e Kuvendit të Kosovës ta votojnë Gjykatën Speciale, gjykatë kundër së cilës sot proteston.

Prandaj pyetja është e thjeshtë: a është penduar për atë përkushtim dhe për atë lobim të fuqishëm? Sepse qëndrimet e atëhershme dhe këto të sotmet janë në kundërthënie të hapur.
Për në fund, duhet theksuar qartë se BDI dhe Ali Ahmeti e kanë keqpërdorur UÇK-në, vlerat dhe meritat e saj për pikë politike, ashtu siç po përdorin edhe këtë Rezolutë. Pa u konsultuar me asnjë parti politike, as me VLEN, pa siguruar votat e nevojshme, ata morën hov për të abuzuar me një temë kaq delikate dhe të ndjeshme për shqiptarët.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo