Klubi i njohur turk, Fenerbahce ka lëshuar një deklaratë për lëndimin e mbrojtësit Milan Skriniar duke zbuluar dëmtimin e lojtarit, i cili përfundimisht pritet të mungojë në ndeshjen mes Sllovakisë dhe Kosovës në kuadër të ‘play-off’-it për Kupën e Botës 2026.
Skriniar u lëndua të enjten mbrëma në ndeshjen e Ligës së Evropës kundër Nottingham Forest, duke u detyruar ta lë fushën në minutën e 26-të.
Lëndimi i tij dukej serioz që në pamje të parë dhe Fenerbahce ka lëshuar sot një deklaratë në lidhje me gjendjen e fundit të Skriniar.
“Pas dëmtimit që pësoi kapiteni i ekipit tonë të futbollit, Milan Skriniar, gjatë ndeshjes së mbrëmshme kundër Nottingham Forest, iu krye një skanim me rezonancë magnetike”.
“Si rezultat i vlerësimit, u zbulua një këputje e pjesshme në ijën e tij të djathtë dhe ka filluar trajtimi për lojtarin tonë”, thuhet në njoftimin e klubit turk.
Sipas një raporti në mediumi A Spor, qendërmbrojtësi sllovak do të jetë jashtë fushave për 1 muaj e gjysmë, duke humbur kështu ndeshjen me Kosovën e planifikuar për 26 mars.