Partia në pushtet e Koresë së Veriut ka mbledhur kongresin e saj më të lartë, i cili zhvillohet një herë në pesë vjet, transmeton Anadolu.
Kongresi i nëntë i Partisë së Punëtorëve të Koresë (WPK) u hap dje në Phenian, të cilin agjencia shtetërore e lajmeve KCNA e përshkroi si kryeqytetin e “revolucionit korean”.
Rreth 5 mijë delegatë të partisë, të udhëhequr nga lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, marrin pjesë në mbledhjen që zakonisht zgjat disa ditë.
Si organi më i lartë vendimmarrës i vendit, kongresi përcakton drejtimet politike pesëvjeçare. Në takim shqyrtohen vendime kyçe për ekonominë, mbrojtjen dhe diplomacinë si dhe emërime të rëndësishme në poste drejtuese. Kongresi i mëparshëm u mbajt në vitin 2021.
Në fjalën hapëse, Kim i cilësoi pesë vitet që nga kongresi i tetë i WPK-së si një “periudhë krenarie” në historinë e vendit, gjatë së cilës “arritëm suksese të mëdha pavarësisht sprovave dhe vështirësive”.
Vëzhguesit po ndjekin nga afër rezultatet e kongresit në sfondin e zhvillimeve në marrëdhëniet ndër-koreane, programit bërthamor të Koresë së Veriut dhe çdo mundësie për angazhim diplomatik me SHBA-në.
“Kur mblodhëm kongresin e tetë të partisë, kushtet subjektive dhe objektive të revolucionit tonë ishin aq të ashpra sa mezi ruajtëm ekzistencën”, tha Kim.
“Forcat armiqësore u bënë më të pamatura në skemat e tyre për bllokada dhe sanksione të ashpra kundër nesh”, shtoi ai, duke përmendur gjithashtu fatkeqësi natyrore të njëpasnjëshme dhe krizën globale të shëndetit publik duke iu referuar koronavirusit COVID-19.
Sipas tij, këto faktorë “penguan rëndë zhvillimin e të gjithë sektorëve dhe kërcënuan seriozisht sigurinë e shtetit dhe mirëqenien e popullit”. Kim deklaroi se WPK “përballet me detyra të rënda dhe urgjente historike për forcimin e ndërtimit ekonomik dhe përmirësimin e standardit të jetesës së popullit”.
“Kjo kërkon një luftë më aktive dhe këmbëngulëse, pa lejuar asnjë moment ngecjeje apo stagnimi”, tha ai, duke theksuar një plan të ri afatgjatë zhvillimi rajonal.