Mickoski: Nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme, rikonstruksioni i qeverisë më së voni deri në qershor
Për sa kohë që qytetarët thonë se nuk duhet të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare, nuk do të ketë, theksoi mbrëmë Kryeministri Hristijan Mickoski.
”Pse kanë frikë nga zgjedhjet e parakohshme? Unë u kam thënë se sado që mund të na konvenojë neve – prioriteti ynë është shteti dhe qytetarët. Në asnjë matje [sondazh], qytetarët nuk i japin përparësi shkuarjes në zgjedhje të parakohshme parlamentare. Nuk do të ketë dhe nuk e di edhe sa herë duhet ta them. Pasi vitin e ardhshëm hyjmë në prag të zgjedhjeve të rregullta, sepse nëse ka zgjedhje të rregullta, kjo do të thotë se qeveria teknike do të zgjidhej në fund të dhjetorit ose fillim të janarit 2027/2028. Kjo do të thotë se jemi më pak se dy vite larg qeverisë teknike. Nuk do të ketë. Ne jemi parti popullore, rrjedhim nga populli. Gjithashtu, të gjitha mesazhet nga komuniteti ndërkombëtar janë se keni një qeveri stabile, jepni dhe realizoni reforma, le të punojmë. Dhe ju e shihni që ne nuk rrimë, por punojmë edhe të shtunave, fundjavave, ditëve të punës dhe festave – duhet të punohet,” tha Mickoski mbrëmë në një emision në Kanal 5 TV.
Lidhur me propozimin për shfuqizimin e qeverisë teknike pas zgjedhjeve të ardhshme, kryeministri potencoi se Këshilli i Evropës thotë se kjo Qeveri është e përgatitur dhe e aftë të sillet me pjekuri, në mënyrë demokratike dhe të sigurojë të gjitha parakushtet që demokracia dhe institucionet të funksionojnë.
”Ja, zgjedhjet lokale janë provë e mjaftueshme. Pas zgjedhjeve lokale, nuk duhet të më besojnë mua. Le t’i besojnë Këshillit të Evropës, ata hoqën post-monitorimin për Maqedoninë. Nuk duhet t’i besojnë askujt, le t’i besojnë Këshillit të Evropës, i cili është institucion evropian. Ai thotë se kjo Qeveri është e aftë të sigurojë të gjitha parakushtet. Të jemi realë, kjo është politikanizëm [nga opozita],” tha ai.
Mickoski theksoi se thelbi është që opozita (LSDM) dëshiron të politizojë sipas parimit “polarizo”.
”Ne ishim shumë të qartë para zgjedhjeve të vitit 2024, unë thashë se jemi për shfuqizimin e qeverisë teknike. Ne po hyjmë në një vorbull të tillë të çuditshme e të vazhdueshme. Demokracia thotë se kush ka shumicën, ai bën qeverinë. 61 deputetë në parlament bëjnë qeverinë. Mesazhet nga populli janë shumë të qarta – që nga kjo qeveri nuk pritet politikanizëm, por punë. Dhe këtë po bëjmë,” tha ai.
Mickoski nënvizoi se procesi i rikonstruksionit të Qeverisë pret të përfundojë më së voni deri në qershor.
”Unë tashmë kam ndërtuar qëndrimin tim. Por dua të ulem me partnerët e koalicionit dhe të bisedojmë. Në maj ose më së voni deri në qershor duhet të përmbyllet ai proces,” tha Mickoski.