“Bozhinovska – Rama: Ndërlidhja e gazit të shtetit është hap kyç drejt stabilitetit energjetik dhe integrimit rajonal”
Ministrja e Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale, Sanja Bozhinovska, zhvilloi takim pune me drejtorin ekzekutiv të NOMAGAS SHA Shkup, Nedim Rama, në të cilin u diskutuan aktivitetet aktuale dhe hapat e ardhshëm për zhvillimin e infrastrukturës së gazit në vend.
Fokusi i bisedimeve ishte ndërtimi i interkonektorit me Greqinë, si një nga projektet më të rëndësishme strategjike energjetike në vend. Në takim u bë një pasqyrë e dinamikës së deritanishme të realizimit, rrjedhës së aktiviteteve ndërtimore dhe koordinimit ndërmjet institucioneve dhe kontraktorëve, me qëllim realizimin e projektit sipas afateve të përcaktuara.
Vëmendje e veçantë iu kushtua përgatitjeve për realizimin e interkonektorit me Serbinë, ku u shqyrtua progresi në aktivitetet teknike dhe administrative, si dhe komunikimi dhe koordinimi i vazhdueshëm me palën serbe. Të dyja palët vlerësuan se ndërlidhja rajonale e gazit përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt diversifikimit të burimeve të furnizimit dhe rritjes së sigurisë energjetike.
Në takim u diskutua edhe për planet afatgjata për zhvillimin dhe zgjerimin e rrjetit kombëtar të gazsjellësve, me qëllim mundësimin e një qasjeje më të madhe të gazit natyror për industrinë, komunat dhe amvisëritë, si dhe mbështetjen e tranzicionit energjetik dhe uljen e ndotjes përmes zgjidhjeve më të pastra energjetike.
Ministrja Bozhinovska theksoi rëndësinë e realizimit të përshpejtuar të projekteve infrastrukturore, duke theksuar se zhvillimi i rrjetit të gazit është prioritet strategjik që ndikon drejtpërdrejt në stabilitetin ekonomik, konkurrencën e ekonomisë dhe sigurinë e furnizimit me energji.
Bashkëbiseduesit u pajtuan se qasja e koordinuar institucionale dhe bashkëpunimi i zgjeruar rajonal janë çelësi për pozicionimin e suksesshëm të vendit si një nyje e qëndrueshme energjetike në rajon.
Me respekt,
Ministria e Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale