Nëse përjetohet me vetëdije, ky muaj nuk mbetet thjesht një periudhë kalimtare, por
bëhet pikë kthese – një fillim i ri në udhëtimin e përhershëm të njeriut drejt përsosjes.
Mr. Abaz ISLAMI
Muaji i Ramazanit nuk është thjesht një segment kohor në kalendarin hënor islam; ai
është një shkollë e brendshme e disiplinës, një laborator shpirtëror ku besimtari rifiton
harmoninë e humbur mes trupit, mendjes dhe shpirtit. Në thelb, Ramazani është një
projekt i vetëdijshëm i riorganizimit të jetës, një akt reflektimi i thellë mbi kuptimin e
ekzistencës dhe mbi raportin e njeriut me Allahun, Krijuesin e botërave.
Njeriu modern jeton në një realitet të fragmentarizuar, ku koha shpesh i ikën nga duart
mes angazhimeve, teknologjisë dhe zhurmës së pandërprerë të informacionit. Në këtë
vorbull shpërqendrimi, Ramazani vjen si një thirrje për rend, si një rikthim tek
thelbësorja. Orari i veçantë i këtij muaji – agjërimi nga agimi deri në perëndim, faljet e
shtuara, përkushtimi ndaj adhurimit – e mëson besimtarin se koha nuk është vetëm një
kategori kronologjike, por një amanet moral. Organizimi i saj bëhet akt adhurimi,
ndërsa disiplina personale shndërrohet në formë lirie të brendshme.
Në konceptin metafizik, Ramazani është përforcim i lidhjes së njeriut me Krijuesin e
botërave, me Allahun Fuqiplotë. Përmes agjërimit, njeriu e kupton se nevoja, uria dhe
etja nuk janë dobësi, por shenja të natyrës së tij si krijesë. Në këtë vetëdije lind
përulësia, ndërsa përulësia hap derën e afrimit me Krijuesin. Agjërimi nuk është vetëm
privim nga ushqimi; është një ushtrim i vullnetit, një pastrim i brendshëm nga tepricat
e egos dhe nga iluzioni i vetë-mjaftueshmërisë.
Shoqëria bashkëkohore e ndien thellë mungesën e qetësisë shpirtërore. Ndërsa mjekët
dhe psikologët paralajmërojnë për varësinë nga rrjetet sociale dhe për largimin nga
leximi reflektiv, Ramazani ofron një alternativë të qartë: rikthimin tek fjala e shpallur,
mbinatyrore, e ndritur, tek Kurani. Leximi i tij, nuk është vetëm akt ritual; është dialog
me mbinatyroren. Çdo ajet bëhet pasqyrë ku besimtari sheh veten, dobësitë dhe
aspiratat e tij. Në këtë dialog lind një vetëdije e re, më e thellë dhe më e përgjegjshme.
Edhe në dimensionin trupor, Ramazani ka një filozofi të vetën. Në një botë të
karakterizuar nga disbalanca ushqimore, nga teprimi dhe konsumi i pakontrolluar,
agjërimi rikthen masën dhe vetëpërmbajtjen. Ushqimi merr kuptim tjetër: ai nuk është
më vetëm kënaqësi, por mirësi që kërkon falënderim. Orari i rregullt dhe kujdesi ndaj
asaj që konsumohet shndërrohen në edukatë, në kulturë të përmbajtjes dhe të
mirënjohjes.
Së fundi, ndikimi i Ramazanit nuk mbetet i kufizuar në individualitet. I ushqyer nga
mësimet kuranore dhe nga tradita profetike, besimtari ndjen përgjegjësi të shtuar ndaj
shoqërisë. Solidariteti me skamnorët, varfërit, ndihma ndaj atyre që kanë nevojë,
kujdesi ndaj kategorive të ndjeshme – të gjitha këto janë shprehje konkrete të një
shpirtërie autentike. Adhurimi, në këtë kuptim, nuk është arratisje nga bota, por
angazhim moral brenda saj.
Prandaj, Ramazani mund të kuptohet si një filozofi jete e përqendruar në ekuilibër:
mes trupit dhe shpirtit, mes individit dhe shoqërisë, mes kohës dhe amshimit. Ai është
një mundësi për riorientim, për pastrim të brendshëm dhe për rindërtim moral. Nëse
përjetohet me vetëdije, ky muaj nuk mbetet thjesht një periudhë kalimtare, por bëhet
pikë kthese – një fillim i ri në udhëtimin e përhershëm të njeriut drejt përsosjes.