Deskorski: Profesorët nuk janë zbatues të detyrave administrative, por bartës të veprimtarisë arsimore





​Profesori Toni Deskoski, përmes një postimi në rrjetet sociale, ka drejtuar kritika të ashpra ndaj Draft-ligjit për Arsimin e Lartë, duke vlerësuar se zgjidhjet e propozuara dëmtojnë rëndë autonominë e universiteteve dhe hapin hapësirë për nepotizëm.
​„Paksa habitshëm, në Fakultetin Juridik brenda pak ditësh u shfaq një ortek vërejtjesh dhe kritikash ndaj Draftit të Ligjit për Arsimin e Lartë (LAL), të cilin Ministrja Janevska e lëshoi në publik.
​Para pak ditësh, fillimisht patëm një mbledhje të Institutit për të Drejtën Ndërkombëtare (Publike dhe Private), ku anëtar është edhe Dekani i Fakultetit, Prof. Sasho Georgievski. Miratuam unanimisht 28 vërejtje, shumica e të cilave për risitë thelbësore të propozuara në Draft. Nuk hymë qëllimisht në detaje, sepse kjo është e pamundur të përmblidhet në një dokument të vetëm.
​U surprizova këndshëm kur para pak ditësh na u dorëzuan vërejtjet nga Institutet e tjera të Fakultetit, të cilat ishin edhe më voluminoze. Interesant është se të gjitha vërejtjet kanë të bëjnë me risitë, ndërsa asnjë për dispozitat që janë mbajtur nga ligji aktual i vitit 2018.
​Në mbledhjen e sotme të Këshillit Mësimor-Shkencor, shumica dërrmuese u pajtuam se numri i madh i vërejtjeve tregon se ky draft është i kualitetit të dobët dhe është e pamundur të ndërhyhet në të me amendamente. Për më tepër, nëse pranohen vërejtjet e dhëna, praktikisht kthehemi te ligji i vitit 2018.
​Rrënimi i autonomisë dhe “ristrukturimi korporativ”
​Ky draft, nën petkun e një reforme që gjoja do të rrisë cilësinë, në fakt rrënon në masë të madhe autonominë e universitetit. Defekti kyç është përpjekja për ristrukturim korporativ të universiteteve, me Rektorë dhe Dekanë të gjithëfuqishëm si menaxherë, në vend të asaj që Universiteti përfaqëson – një kolektiv individësh të barabartë (profesorë), i cili udhëhiqet nga vetë ata. Vetëm kështu mund të ketë liri të mendimit dhe krijimtarisë shkencore. Profesorët nuk janë zbatues të detyrave administrative që ua cakton Rektori apo Dekani, por janë bartës të veprimtarisë.
​Hapja e derës për nepotizmin
​Përderisa Ministrja mbrohet duke thënë se po ashpërsohen kriteret për zgjedhje në tituj, në të njëjtën kohë po tentohet të fshihet “lëshimi” i një norme nga ligji i vitit 2018 (neni 160, paragrafi 6). Kjo është dispozita që ndalon punësimin e fëmijëve të profesorëve në të njëjtin fakultet.
​Drafti i ri e heq këtë ndalesë dhe hap gjerësisht derën që fëmijët e profesorëve të pranohen si bashkëpunëtorë ose mësimdhënës. Kjo është risia e vërtetë, e jo vendosja e kushteve të pamundura për gradim.
​Marrja e profesorëve me marrëveshje?
​Një tjetër absurditet është risia sipas së cilës një profesor mund të kalojë nga një institucion i lartë arsimor në tjetrin pa konkurs, pa përcaktim të nevojës dhe pa procedurë zgjedhjeje nga Këshilli apo Senati. Mjafton vetëm një marrëveshje mes drejtuesve të institucioneve, sikur të bëhej fjalë për marrjen e një sekretareje teknike. Kështu, çdo profesor mund të njoftohet një mëngjes nga Dekani se ka marrë një “koleg” të ri në katedër!
​Përpjekja për të përmirësuar këtë draft është e kotë. Opsioni i vetëm është të tërhiqet, e pastaj me gjakftohtësi dhe debat publik të mendohet se si të procedohet më tutje. Nuk dua as ta imagjinoj horrorin që do të ndodhte nëse ky ligj miratohet në Kuvend!
​Good night and good luck,“ përfundon Deskoski.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo