Zemërimi ka pushtuar të dy kahet e skenës politike në SHBA lidhur me listën e Prokurores së Përgjithshme të Shteteve të Bashkuara, Pam Bondi, me emrat e personave më të pasur dhe të famshëm që përmenden në dosjet e Jeffrey Epstein.
Administrata amerikane kaloi muaj të tërë duke redaktuar dhe publikuar miliona dokumente lidhur me financierin e diskredituar, dhe pasojat e këtyre publikimeve janë ndjerë që nga kodrat e Hollywood-it deri te pallatet mbretërore në Europë.
Bondi i dërgoi një letër Kongresit më 14 shkurt, ku pohonte se Departamenti i Drejtësisë i ka publikuar tashmë të gjitha materialet që lidhen me dosjet e Epstein-it. Përveç një përditësimi mbi punën e bërë, ajo përfshiu një listë me 300 emra të personazheve të famshëm dhe politikanëve që përmendeshin të paktën një herë në dosjet e Epstein-it.
Në listë figuronin bashkëpunëtorë të njohur si Ghislaine Maxwell, figura politike si Tony Blair, aktorë si Robert De Niro dhe biznesmenë si Mark Zuckerberg. Por lista e re ka zemëruar të dyja partitë, republikanët dhe demokratët, të cilët thonë se ajo ende nuk është mjaftueshëm e plotë, pasi shumë nga milionat e emaileve dhe dokumenteve u redaktuan. Po kështu, përfaqësuesi i Kalifornisë, Ro Khanna, e kritikoi administratën Trump për një përbaltje të qartë sipas tij, sepse janë bashkuar në një listë të vetme si emra personash që kanë pasur lidhje vërtet me skandalin, ashtu edhe të tjerë të cilët përmenden aty krejt rastësisht.
Për të ilustruar me shembuj konkretë pohimin e tij, Khanna tregoi sesi persona si këngëtarja e famshme Janis Joplin janë në mesin e 300 emrave të përmendur në letrën e Bondi-t, dhe kjo, në një kohë kur artisja ka vdekur që kur Jeffrey Epstein ishte 17 vjeç, që do të thotë shumë përpara se ai të niste aktivitetin e tij kriminal me të mitur.