Ish-ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga, ka reaguar ashpër ndaj një pjese të lidershipit të koalicionit VLEN, duke i akuzuar se po rikthejnë një mentalitet të vjetër jugosllav, ku – sipas tij – sulmi ndaj Shqipërisë dhe përfaqësuesve të saj shihej si “modë” dhe si shenjë e rreme e intelektualizmit.
Në një status në rrjetet sociale, Lloga shpreh keqardhje për, siç e quan ai, “rikthimin e gjenezës eterore” te disa figura të VLEN-it, të cilët – sipas tij – po sulmojnë ambasadorin shqiptar dhe agjendën kombëtare në Maqedoninë e Veriut, duke pretenduar se janë “më kombëtarë se të tjerët”.
“Të sulmosh ambasadorin për agjendën kombëtare, apo takimet e tij, vetëm pse pretendon se je më kombëtar se të tjerët, nuk përputhet me bashkëqeverisjen me VMRO-në”, shkruan Lloga.
Ai thekson se, ndonëse është i gatshëm të kritikojë disa aktorë për të kaluarën e tyre, të njëjtin standard duhet ta aplikojnë edhe ndaj partnerëve të koalicionit.
Sipas tij, është e papranueshme që të harrohen deklaratat dhe veprimet e kaluara të figurave maqedonase që për vite kanë ofenduar shqiptarët.
“Të mos harrojmë për ata që flisnin për ‘indianci’ të ardhur nga mali, për rrëzime aeroplanësh, për ata që i tërhiqnin shqiptarët për veshi…”, thekson ai.
Lloga kritikon edhe figurat kryesore brenda kampit shqiptar në qeveri, duke përmendur kryetarin e komunës së Tetovës, Bilall Kasami, për të kaluarën e tij politike dhe aleancat me LSDM-në, si dhe për, sipas tij, dështimet elektorale në Kërçovë dhe Bërvenicë.
Po ashtu, ai përmend edhe Alternativën, duke e akuzuar se në zona shqiptare ka kërkuar vota për kandidatë maqedonas, ndërsa thekson se e njëjta parti është hera e tretë në qeveri brenda më pak se një dekade.
Në vazhdim, Lloga shënjestron edhe partnerët maqedonas në pushtet:
“Çfarë do të themi për ZNAM-in, për Filkovin që ofendon, apo për Mickoskin e VMRO-së që shan, ofendon, maltreton dhe i demanton dy herë brenda një dite?”, shkruan ai.
Në përfundim, ish-ministri i Drejtësisë e përmbledh qëndrimin e tij me një mesazh të fortë simbolik:
“Dy vite duke mbrojtur VMRO-në, dy vite duke ulur shqiptarët. VLEN – e jo mahi. Shqiponja kundër shqiptarëve, pula përballë maqedonasve.”
Reagimi i Llogës vjen në një moment tensionesh të shtuara brenda spektrit politik shqiptar, si dhe kritikash të vazhdueshme ndaj bashkëqeverisjes së VLEN-it me VMRO-DPMNE-në.