Gjendje alarmante në Gostivar, Valbon Limani: Lusim çdo qytetarë, të evitojnë daljet nga shtëpia pa nevojë!
Reshjet e dendura kanë shkaktuar vërshime në disa zona të banuara të qytetit, duke rënduar situatën në të gjithë rajonin e Pollogut. Kryetari i Komunës së Gostivarit, Valbon Limani, ka shprehur shqetësimin e tij lidhur me gjendjen e krijuar dhe ka kërkuar reagim urgjent nga institucionet përgjegjëse.
Sipas tij, përkundër përpjekjeve maksimale të Komunës dhe ndërmarrjeve komunale për të menaxhuar situatën në terren, nevojitet ndërhyrje e menjëhershme nga ELEM, si institucion me kompetenca për menaxhimin e ujërave të lumit Vardar, si dhe nga zyrat e Ekonomizimit të Ujërave, përgjegjëse për sistemin e ujitjes.
Komuna ka ngritur alarm edhe pranë Qendra për Menaxhimin e Krizave (QMK), ndërsa u është bërë thirrje qytetarëve që të shmangin daljet nga shtëpitë pa nevojë, për shkak të rrezikut të shtuar.
“Vështirësi të mëdha po hasen në të gjithë rajonin e Pollogut. Ju lutem veproni sa më shpejt”, ka apeluar kryetari Limani.
Autoritetet lokale vijojnë të jenë në terren, ndërsa pritet reagimi i institucioneve kompetente për stabilizimin sa më të shpejtë të situatës.