Qytetarët e Maqedonisë së Veriut që gjatë vitit 2025 kanë pranuar pagë ose ndonjë lloj tjetër të ardhure nga jashtë vendit, kanë afat deri më 31 mars të këtij viti që të dorëzojnë llogaritjen elektronike dhe dëshmitë përkatëse për të ardhurat e realizuara në Drejtorinë për të Ardhura Publike (DAP). Llogaritja duhet të dorëzohet përmes sistemit e-Shërbime Tatimore të DAP-it.
Nga Drejtoria theksojnë se detyrimi për këta qytetarë ekziston pavarësisht nëse tatimi në shtetin e huaj është paguar apo jo.
“Bashkë me llogaritjen, detyrimisht duhet të dorëzohen edhe dëshmi , vërtetim nga paguesi, ekstrakt bankar, kontratë për shërbimet e kryera, fletëpagesa ose dokumentacion tjetër relevant që tregon shumën, llojin dhe periudhën e të ardhurës së realizuar, si dhe tatimin eventualisht të paguar në shtetin e huaj”, thanë nga DAP.
Ata apeluan që qytetarët me kohë t’i përmbushin të gjitha detyrimet, me qëllim të përcaktimit të saktë të obligimit tatimor dhe shmangies së procedurave shtesë dhe sanksioneve.
Kujtojmë se qytetarët të cilët kanë punuar jashtë vendit, kryesisht në Irak dhe Afganistan javëve të fundit kanë protestuar duke kundërshtuar tatimet që DAP u kërkon t’i paguajnë.