BDI-Tetovë: Moskompensimi i Dëmeve po Rrezikon Bujqësinë e Pollogut





Fermerët, bujqit dhe blegtorët e Pollogut po paguajnë sot çmimin e politikave të dështuara, mungesës së vizionit dhe arrogancës së pushtetit. Që nga viti 2024, dëmet e shkaktuara në sektorin e bujqësisë nuk janë kompensuar, ndërkohë që paratë e taksapaguesve shpenzohen për propagandë dhe projekte joproduktive, e jo për ata që sigurojnë ushqimin e vendit.
Rajoni i Pollogut është një nga zonat më të rëndësishme bujqësore në vend. Sipas të dhënave nga Enti Shtetëror Ststistikor i Maqedonisë së Veriut Mbi 20% e popullsisë sigurojmë të ardhura të lidhura drejtpërdrejt ose tërthorazi me bujqësinë dhe blegtorinë, ndërsa mijëra familje jetojnë nga prodhimi bujqësor. Bujqësia mbetet një nga shtyllat kryesore të ekonomisë lokale, duke kontribuar ndjeshëm në të ardhurat familjare dhe në stabilitetin socio-ekonomik të rajonit.
Megjithatë, sot përballemi me një realitet alarmant:
• Fermerët po falimentojnë.
• Bagëtitë po shiten nën çmim.
• Tokat po mbesin djerrë.
• Të rinjtë po largohen nga fshatrat për shkak të mungesës së perspektivës.
Kjo situatë është pasojë direkte e mungesës së politikave zhvillimore serioze dhe e shpërfilljes sistematike ndaj bujqësisë dhe blegtorisë.
BDI – Dega Tetovë përkrah protestën e bujqëve të Pollogut dhe mbështet plotësisht kërkesat e tyre legjitime. Njëkohësisht, kërkojmë LLOGARIDHËNIE dhe veprime konkrete:
• Pagesë urgjente të dëmshpërblimeve për dëmet e vitit 2024.
• Hartim dhe zbatim të një Programi emergjent mbështetës për Pollogun.
• Politika pozitive dhe masa zhvillimore që garantojnë stabilitet dhe siguri për prodhuesit vendorë.
Fermerët, bujqit dhe blegtorët meritojnë dinjitet, mbështetje dhe respekt. Ata mbajnë gjallë ekonominë, furnizojnë tregun me prodhim vendor dhe ruajnë traditën e punës së ndershme.
Papërgjegjësia dhe indiferenca institucionale e qeverisë dhe pushtetit lokal po shkaktojnë dëme serioze në sektorin e bujqësisë, duke prodhuar pasoja të drejtpërdrejta në rënien ekonomike dhe duke rritur pasigurinë për bujqit dhe blegtorët.
Bujqësia nuk mund të mbijetojë me neglizhencë, kërkojmë përgjegjësi, mbështetje konkrete, vizion zhvillimor dhe drejtësi për bujqit.