Lideri i opozitës ruse, Alexei Navalny, u vra duke përdorur një helm të zhvilluar nga një toksinë e bretkosës “dart frog”, ka bërë të ditur Ministria e Jashtme britanike.
Dy vjet pas vdekjes së Navalnyt në një koloni penale në Siberi, Britania dhe aleatët e saj kanë fajësuar Kremlinin, pas analizës së mostrave materiale të gjetura në trupin e tij.
Nuk ka asnjë shpjegim të pafajshëm për praninë e toksinës, të quajtur epibatidinë, në mostrat e marra nga trupi i Navalnyt, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Jashtme.
Duke folur nga Konferenca e Sigurisë në Mynih, Sekretarja e Jashtme Yvette Cooper tha:
“Vetëm qeveria ruse kishte mjetet, motivin dhe mundësinë për të përdorur këtë toksinë vdekjeprurëse kundër Alexei Navalnyt gjatë burgimit të tij në Rusi”.
Cooper u takua me vejushën e Navalnyt, Yulia Navalnaya, në konferencë gjatë këtij fundjave.
“Rusia e shihte Navalnyn si një kërcënim. Duke përdorur këtë formë helmimi, shteti rus tregoi mjetet e neveritshme që ka në dispozicion dhe frikën e madhe që ka nga opozita politike”, tha Cooper në aktivitet.
Mbretërisë së Bashkuar i janë bashkuar Suedia, Franca, Holanda dhe Gjermania në akuzat ndaj Rusisë për helmimin.
Navalny, një aktivist kundër korrupsionit dhe lideri më i zëshëm i opozitës në Rusi, vdiq papritur në burg më 16 shkurt 2024, në moshën 47-vjeçare.
Në vitin 2020 ai u helmua me agjentin nervor Novichok. Ai mori trajtim në Gjermani dhe u arrestua në aeroport pas kthimit në Rusi. Para njoftimit të së shtunës, bashkëshortja e Navalnyt, Yulia Navalnaya, kishte argumentuar vazhdimisht se burri i saj ishte vrarë me helmim gjatë vuajtjes së dënimit në një koloni penale në Arktik në vitin 2024.
Në shtator të vitit të kaluar, Navalnaya tha se analizat e mostrave biologjike të nxjerra fshehurazi dhe të ekzaminuara nga laboratorë në dy vende kishin treguar se burri i saj ishte “vrarë”.
Ajo nuk dha detaje mbi helmin e përdorur, mbi mostrat apo mbi analizat, por sfidoi dy laboratorët që të publikonin rezultatet e tyre.
Duke reaguar ndaj njoftimit të Ministrisë së Jashtme britanike, Navalnaya tha:
“Isha e sigurt që nga dita e parë se burri im ishte helmuar, por tani ka prova. Jam mirënjohëse ndaj shteteve evropiane për punën e kujdesshme që kanë kryer për dy vjet dhe për zbardhjen e së vërtetës,” shtoi ajo.
Presidenti rus Vladimir Putin, i cili kishte shmangur me kujdes përmendjen e emrit të Navalnyt sa ishte gjallë, iu referua shkurtimisht atij një muaj pas vdekjes, duke thënë se vdekja e një personi është “gjithmonë një ngjarje e trishtë”.
Sipas autoriteteve ruse, 47-vjeçari kishte bërë një shëtitje të shkurtër në koloninë penale në Siberi, ishte ndier keq, më pas ishte rrëzuar dhe nuk kishte rifituar më vetëdijen.
Familja e Navalnyt konfirmoi më vonë se aktivisti politik kishte vdekur më 16 shkurt.