Nafie Selmani: A duhet dëshmi më e madhe se “baba” i VLEN-it është kryeministri Mickoski?

Babai, është figurë e dashur, por edhe autoritare. Në fëmijëri vendos ai. Në maturi, fëmija rritet, fiton autonomi dhe merr vendime vetë.
Por në rastin e VLEN-it, duket se “mosha politike” ka mbetur në çerdhe. Sepse sa herë që duhet qëndrim dinjitoz, shohim nënshtrim. Sa herë që duhet zë, shohim heshtje. Sa herë që duhet vendim sovran, ata presin sinjal nga “babai” i tyre politik.

Kjo dëshmua edhe në rastin me ftesën për një takim me Presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj, dhe partitë tjera parlamentare shqiptare. Nga frika se mos vallë mund të qortohen nga babai i tyre politik, VLEN-i e angazhoi Bilall Kasami që të refuzojë takimin me Kreun e shtetit amë dhe me partitë tjera parlamentare shqiptare.

Bilalli, po ai Bilall që me buzëqeshje e me “azganllëkun” e BMW 150 mijë euro, të “huazuar” nga daja i tij, u shfaq në tryezën e liderëve e organizuar nga “babai” i tyre politik, por mbajti qëndrim të rezervuar dhe refuzues kur bëhej fjalë për Presidentin e Shqipërisë.
A u refuzua Presidenti i shtetit amë për hatër të “babait” të tyre politik, ose për ndonjë arsye tjetër të pakuptueshme për qytetarët shqiptarë?

Kur VLEN-i refuzon takime me Presidentin e Shqipërisë, a i bie se marrëdhënia me mëmëdheun për ta është e parëndësishme?
Dhe mbi të gjitha: Pse “burrat” e VLEN-it tolerojnë përditë poshtërimin publik?

Pse reagojnë ashpër ndaj shqiptarëve e hallexhinjve, por zbuten kur përballen me pushtetin?

Kush i mban kaq fort pas bishti që nuk guxojnë as të ulen në një tryezë me Presidentin e shtetit amë, pa lejen e “babait”?
Pse “burrat” e VLEN-it nuk e kuptojnë se politika nuk është raport prind–fëmijë, por është raport partnerësh.

Nëse VLEN-i e sheh veten si “fëmijë” politik, atëherë mos të flasë për përfaqësim dinjitoz. Sepse përfaqësimi fillon me kurriz të drejtë, jo me kokë të ulur, e me bisht të kapur pas derës së Qeverisë.