Rusia dhe Ukraina akuzojnë njëra-tjetrën për sulme ajrore gjatë natës, 2 persona të vrarë dhe 9 të plagosur
Rusia dhe Ukraina akuzuan të premten njëra-tjetrën për sulme ajrore gjatë natës që kanë vrarë dy persona dhe kanë plagosur nëntë të tjerë, transmeton Anadolu.
“Si pasojë e sulmit të natës së armikut në rajonin e Odesës, një person u vra dhe gjashtë të tjerë u plagosën”, tha Guvernatori Oleh Kiper në Telegram.
Kiper tha se gjendja e tre prej të plagosurve është serioze, pasi sulmet me dronë gjatë natës kishin në shënjestër objektet e infrastrukturës portuale, banesore, industriale dhe energjetike në rajon.
“Depot e plehrave u dëmtuan në port”, tha Kiper, duke vënë më tej në dukje se mbeturinat nga dronët e rrëzuar u regjistruan duke rënë dhe goditur në territorin e një shitësi makinash dhe një sanatoriumi, ndërsa dy dronë të tjerë goditën dy ndërtesa banimi.
“Zjarret që u shkaktuan si paojë e sulmeve u shuan menjëherë nga ekipet e shpëtimit. Shërbimet e emergjencës dhe ato komunale po punojnë në vendngjarje”, shtoi Kiper.
Veçmas, Guvernatori i rajonit Zaporizhzhia, Ivan Fedorov, tha në një deklaratë në mëngjes se një person u vra në rajonin e tij pas një sulmi me dronë në qytetin e Orikhivit, i vendosur pranë vijës së frontit.
Forcat Ajrore të Ukrainës pretenduan se mbrojtja e saj ajrore, bazuar në të dhënat paraprake, rrëzoi 111 nga 154 dronë të lëshuar nga Rusia gjatë natës.
Ndërkohë, Andrey Bocharov, guvernatori i rajonit jugor Krasnodar të Rusisë, shkroi në Telegram në një deklaratë gjatë natës se Ministria e Mbrojtjes e vendit po spraps një sulm “masiv” në rajon që synonte ndërtesat e banimit dhe infrastrukturën industriale.
Dëmtime janë raportuar në shtëpi private në qytetin e Volgogradit dhe komunat përreth, tha Bocharov, duke shtuar se tre persona janë shtruar në spital.
“Mbetjet e dronëve janë raportuar të kenë rënë në tokën e disa ndërmarrjeve industriale në qytet dhe rajon,” tha ai më tej, pa detaje të mëtejshme.
“Shërbimet e emergjencës dhe komunat janë udhëzuar të vlerësojnë dëmet, të adresojnë pasojat, të ofrojnë ndihmë për viktimat dhe të përgatisin qendra të përkohshme akomodimi,” shtoi ai.
Ministria Ruse e Mbrojtjes pretendoi në një deklaratë të veçantë se mbrojtja e saj ajrore rrëzoi 58 dronë ukrainas gjatë natës, nga të cilët 43 u rrëzuan mbi rajonin e Volgogradit.
Moska dhe Kievi e kanë akuzuar rregullisht njëra-tjetrën për sulme kundër infrastrukturës energjetike në mes të negociatave të paqes të ndërmjetësuara nga SHBA-ja për t’i dhënë fund luftës Rusi-Ukrainë, e cila do të hyjë në vitin e saj të pestë më vonë këtë muaj.