Ofendimi nga Mickovski dhe gjunjëzimi i Bilallit ndaj Fatmir Limanit!

Shkruan: TetovaSot

Kishte mundësinë të ishte “hero” i mbrëmjes në një mbledhje të jashtëzakonshme të kryesisë së partisë, por gjithçka përfundoi në vend-numëro. Ngjarjet e paradites dhe deklaratat publike të Hristijan Mickoskit ndaj Bilall Kasamit i jepnin plot arsye kreut të Lëvizjes Besa të vepronte ndryshe, por edhe kësaj here reagimi mbeti vetëm zhurmë dhe u mbyll aty ku nisi.

Në atë mbledhje ishte i pranishëm edhe Fatmir Limani, me pozicione dukshëm më të forta se vetë lideri i partisë dhe mbrëmja u mbyll me një vendim paradoksal, pra shpalljen e shkarkimit të gjithë kryesisë. Mesazhet politike që Limani solli në atë takim pritet të lexohen më qartë ditëve në vijim, kur shumë gjëra do të kristalizohen. Në thelb, gjithçka u justifikua me nevojën për “forcimin e” VLEN-it, por realiteti është shumë më i ashpër: VLEN-i sot është një bashkim formal i subjekteve dhe figurave që politikisht kanë neveri të thellë ndaj njëra-tjetrës. Kriza brenda Besës po shitet si domosdoshmëri për unitetin e VLEN-it, por në fakt po shndërrohet në krizë të vetë frontit shqiptar në pushtet.

Kjo situatë mund të lexohet edhe ndryshe, si ofendim politik nga Mickoski dhe si gjunjëzim politik i Bilall Kasamit përballë Fatmir Limanit. Shqiptarët nisën realisht të mobilizohen rreth Bilall Kasamit, me kërkesën e qartë që ai të dalë nga qeveria, jo për protagonizëm, por për ta mbajtur kokën lart si lider shqiptar. Ai u krekos publikisht se do ta shkarkojë Fatmir Limanin, por jo vetëm që nuk e shkarkoi, por për ta mbuluar turpin e nënçmimit dhe frikën nga përplasja reale politike, u improvizua një akt i brendshëm, shkarkimi i kryesisë së partisë. Me këtë veprim, në mënyrë të drejtpërdrejtë u goditën edhe aleatët e tij që e ndihmuan të mbijetojë politikisht në zgjedhje, si Arben Fetai dhe Izet Mexhiti.

Mesazhi ishte brutal: “ata nuk kanë organe, nuk janë parti”. E gjithë kjo u bë për të mbuluar anën e errët të krizës, frikën reale nga përplasja me Mickoskin dhe paaftësinë për ta imponuar vullnetin politik të Besës brenda qeverisë. Sot nuk kemi vetëm krizë në Lëvizjen Besa, sot kemi krizë brenda vetë VLEN-it.

VLEN nuk funksionon si front politik me vizion të përbashkët, por si një mekanizëm mbijetese për liderë dhe struktura që, në rrethana normale, nuk do të uleshin as në të njëjtën tryezë politike. Përplasjet e brendshme, mosbesimi dhe rivaliteti personal janë kthyer në mënyrën reale të funksionimit të këtij koalicioni dhe sa herë që shpërthen një konflikt brenda këtij “fronti”, fatura i faturohet një pale, zakonisht Besës.

Nga këto përplasje humbin gjithmonë shqiptarët, sepse energjia politike e përfaqësimit shqiptar harxhohet në luftë të brendshme, pozicioni negociues ndaj partnerit maqedonas dobësohet, temat reale të shqiptarëve shtyhen në fund të agjendës, ndërsa pushteti real mbetet i përqendruar në duart e kryeministrit. Sot është e qartë se brenda kësaj qeverie, pesha politike e një partie shqiptare matet vetëm aq sa e lejon Mickoski. Në këtë situatë, problemi nuk është më vetëm Fatmir Limani, problemi është fakti se Bilall Kasami nuk arriti ta shndërrojë momentin politik në akt force, por shqiptarët e dinë dhe nuk harrojnë se i vetmi lider që do ta shkruajë historia është Bilall Kasami me “MOZEME”.

Bilalli kishte një shans real të bëhej simbol i rezistencës politike shqiptare brenda pushtetit, por zgjodhi rrugën më të lehtë, spastrimin e brendshëm dhe heshtjen përballë nënçmimit.

Në fund, nga kjo betejë e brendshme, nga kjo krizë e VLEN-it dhe nga kjo përplasje e hapur e egove politike, humb vetëm një palë dhe ata janë shqiptarët. Historia do t’i gjykojë të gjithë, por sot, në këtë moment, Bilall Kasami po rrezikon të mbahet mend jo si lider që u përball me sistemin, por si lider që, për ta mbuluar ofendimin politik nga kryeministri, sakrifikoi strukturën e vet dhe thelloi krizën në kampin shqiptar.