Denion Meidani: Kujtesa historike është detyrim në diplomaci, jo luks





Ambasadori i Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, Denion Meidani, ka deklaruar se kujtesa historike përbën një detyrim moral dhe institucional në diplomaci, duke theksuar se dialogu dhe shkëmbimi i ideve nuk nënkuptojnë relativizim të historisë apo të qëndrimeve.
Sipas tij, takimet institucionale, leximi i veprave dhe dialogu me autorë apo figura publike janë pjesë e përpjekjes për ta kuptuar më thellë të kaluarën, me synimin që e ardhmja të ndërtohet mbi të vërtetën dhe jo mbi harresën.
Meidani theksoi se shoqëritë që synojnë stabilitet dhe kohezion nuk ndërtohen duke përjashtuar dialogun, por duke e zhvilluar atë me maturi dhe ndjeshmëri ndaj kujtesës kolektive. Ai shtoi se diplomacia ka përgjegjësi jo vetëm për ruajtjen e kujtesës, por edhe për nxitjen e reflektimit dhe vetëkritikës.
Në mesazhin e tij, ambasadori nënvizoi gjithashtu se individët dhe figurat publike mund të evoluojnë në kohë dhe se e ardhmja duhet të ndërtohet mbi të vërtetën, përgjegjësinë dhe vullnetin për bashkëjetesë dhe bashkëpunim.TS