Një reagim i ashpër nga drejtori i Komunës së Tetovës dhe bashkëpunëtor i afërt i kryetarit Bilall Kasami, Valon Zeqiri, ka tronditur skenën politike shqiptare dhe ka ndezur rrjetet sociale.
Pa e përmendur drejtpërdrejt me emër, por me mesazhe që sipas opinionit i drejtohen Fatmir Limanit, Zeqiri ka hedhur akuza të rënda për tradhti politike, manipulim dhe përfitim nga djersa e aktivistëve.
“Qëndro i drejtë dhe stoik. Faji nuk është i yti që u dhe pushtet dhe poste disa shqipfolësve e tradhtarëve të cilët në vitin 2024 nuk patën guximin të dalin e të maten në zonat ku jetojnë, por shfrytëzuan mundin dhe djersën e shumë aktivistëve që kishin kontribuar me vite”, shkruan Zeqiri.
Sipas tij, këta individë nuk kanë marrë mbështetje reale nga qytetarët, por janë ngjitur në poste përmes prapaskenave dhe pazareve politike.
Në fund të reagimit, Zeqiri shpreh mbështetje të hapur për Bilall Kasamin, duke e cilësuar si figurë që po qëndron e palëkundur përballë presioneve dhe lojërave të brendshme politike:
“Gjithmonë në lëvizjen e duhur”, ka përfunduar ai, duke iu referuar kryetarit të komunës me inicialet B.K.
Reagimi ka shkaktuar reagime të shumta në opinion dhe pritet që ditët në vijim të sjellin përplasje të reja politike brenda kampit shqiptar.