Rexhepi: Nga Gjerma nis kapitulli i ri i BDI-së në Tetovë

Bashkimi Demokratik për Integrim ka nisur një fazë të re të riorganizimit dhe fuqizimit të strukturave në Tetovë. Në një takim të mbajtur sonte në fshatin Gjermë, u theksua se procesi i nisur synon jo vetëm ristrukturim organizativ, por edhe përfshirje më të gjerë të ideve dhe energjive të reja brenda partisë.

Kryetari i Degës së BDI-së në Tetovë, Bajram Rexhepi, theksoi se ky është një kapitull i ri që ndërtohet mbi respektin për kontributin e deritanishëm të aktivistëve, por me fokus të qartë drejt së ardhmes dhe shërbimit ndaj qytetarëve.

“Sonte në Gjermë po e nisim një kapitull të ri për organizimin dhe fuqizimin e strukturave tona. Ky proces është thirrje për angazhim më të madh dhe për ide të reja, duke ndërtuar themele më të forta për të ardhmen”, ka deklaruar Rexhepi.

Në kuadër të këtij riorganizimi, në Gjermë u zgjodh kryetar i nëndegës Festim Dalifi. Ai u vlerësua si një kuadër i ri, energjik dhe i respektuar në komunitet, që përfaqëson vlerat dhe bindjet e Bashkimit Demokratik për Integrim.

Sipas Rexhepit, përfshirja e brezit të ri në strukturat drejtuese dëshmon se BDI mbetet e hapur për të gjithë ata që duan të kontribuojnë me ndershmëri dhe përkushtim. “BDI është shtëpia e secilit që beson në punë, dinjitet dhe zhvillim. Dyert tona janë të hapura për të rinjtë, gratë, profesionistët dhe çdo qytetar që dëshiron të japë kontributin e vet”, theksoi ai.

Me këtë hap, dega e BDI-së në Tetovë synon të konsolidojë strukturat në terren dhe të forcojë angazhimin politik në prag të sfidave të ardhshme./TS