Kasami i vetëm përballë Mickoskit? Asnjë reagim nga deputetët dhe funksionarët e BESËS!





Pas goditjeve që mori Bilall Kasami nga kryeministri Hristijan Mickoski dhe ministri i Drejtësisë, Igor Filkov, deri tani asnjë deputet apo funksionar i lartë i Lëvizjes BESA nuk ka reaguar publikisht për t’i dhënë mbështetje liderit të tyre.

Kasami nuk ka marrë mbështetje as nga Adnan Azizi deri në këto momente. Brenda Lëvizjes BESA, siç thuhet, mbretëron një heshtje totale.

Portali TetovaSot mëson se nga qendra e informimit e BESËS janë kontaktuar disa gazetarë të afërt me partinë për të shkruar në rrjetet sociale në mbështetje të Kasamit.

TS mëson gjithashtu se liderët e VLEN-it, Izet Mexhiti, Arben Fetahu, Bekim Sali dhe të tjerët nuk do të përfshihen në konfliktin mes Kasamit dhe Mickoskit dhe nëse Kasami vendos të largohet nga Qeveria, ata do ta mbështesin vendimin e tij.

Ndërkohë, sonte do të mblidhet Kuvendi i Lëvizjes BESA për të diskutuar zhvillimet e fundit, si dhe për të kërkuar raport nga funksionarët lidhur me punën e tyre në këtë qeveri.

Sipas informacioneve, Fatmir Limani nuk do të marrë pjesë në këtë mbledhje dhe nuk do të paraqesë raport para Bilall Kasamit, ndërsa pritet që Kuvendi sonte ta përjashtojë atë nga partia BESA./TS/