
Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut ka reaguar me një sqarim publik lidhur me interpretimet e fundit në opinion për organizimin e një takimi me përfaqësuesit e partive parlamentare shqiptare në vend.
Sipas njoftimit zyrtar, në kuadër të vizitës shtetërore të Presidentit të Republikës së Shqipërisë në RMV, Ambasada ka përcjellë, në emër të Presidentit, kërkesën për organizimin e një takimi në ambientet e Kuvendit me kryetarët e partive parlamentare shqiptare.
Nga Ambasada theksojnë se bëhet fjalë për një veprim krejtësisht institucional, në përputhje me protokollin diplomatik dhe praktikën e zakonshme që ndiqet gjatë vizitave zyrtare në nivel të lartë.
“Çdo interpretim tjetër që i atribuon këtij procesi motive apo qëllime të ndryshme nga ato zyrtare është i pabazë”, thuhet në reagim.
Në fund, Ambasada e Republikës së Shqipërisë riafirmon përkushtimin e saj ndaj korrektësisë institucionale, transparencës dhe respektit për të gjitha palët, duke bërë thirrje që ky proces të mos keqinterpretohet për qëllime politike./TS/