Arbër Ademi: Ministri Fillkov, është shembulli tipik i një shovinisti të vogël i kalitur nga agjenturat e Beogradit

E lexova Fillokovin, i cili debaton me zëvendëskryeministrin Sali nëpërmjet rrjeteve sociale.
Më vjen keq për ministrin Fillkov. Ai është shembulli tipik i një shovinisti të vogël i kalitur nga agjenturat e Beogradit. Ai, ka problem. Problemi i tij është mentaliteti i tij, e jo Kushtetuta, e jo ligji. Asnjë argument nuk është në anën e tij. As sarkazma nuk i shkon, kur fket për z. Sali se na qenka stomatolog e politikan, e jo jurist. E vetë ai si jurist, po na shfaqet si amator me probleme serioze të përmasave shqetësuese. Le t’ia numrojme disa argumente profesionale si leksione falas drejtesie.
Ligji për përdorimin e gjuhëve është miratuar në vitin 2018 dhe për herë të parë në mënyrë të plotë është bërë operacionalizimi i normës kushtetuese që trajton përdorimin e gjuhëve në RMV, si normë e përgjithshme.
Ligji për përdorimin e gjuhëve, në nenin 1 paragrafin 3 thotë: “në të gjitha organet e qeverisjes shtetërore në Republikën e Maqedonisë, institucionet qendrore, ndërmarrjet publike, agjencitë, drejtoritë, institucionet dhe organizatat, komisionet, personat juridikë që ushtrojnë autorizime publike në përputhje me ligjin dhe institucionet e tjera, gjuha zyrtare, përveç gjuhës maqedonase dhe shkrimit të saj, është gjuha që e flasin 20% e qytetarëve të Republikës së Maqedonisë dhe shkrimit të saj, në mënyrë të përcaktuar me këtë ligj”.
Mbi bazën e interpretimit të kësaj dispozite është qartë se përpos në institucione, organe dhe kështu me radhë, edhe në komisione siç është edhe komisioni për provimin e jurisprudencës, gjuhë zyrtare është edhe gjuha që e flasin 20% e qytetarëve gjithnjë duke u thirrur në dispozitat e ligjit për përdorimin e gjuhëve. Prandaj paragrafi përfundon me fjalët “në mënyrë të përcaktuar me këtë ligj”, e jo me ndonjë ligj tjetër.
Andaj edhe tendencat apo qëndrimet që insistojnë që këtë çështje ta trajtojnë me ligjin për provimin e jurisprudencës apo me interpretime të tjera të çuditshme amatoreske janë të gabuara në rrethana kur ligji për përdorimin e gjuhëve është “lex specialis” në pjesën e përdorimit të gjuhëve dhe ka epërsinë e zbatueshmërisë në raport me të gjitha aktet tjera normative. Trajtimi në mënyrë parciale nëpër akte të ndryshme normative i përdorimit të gjuhëve nuk ka qenë i suksesshëm, andaj edhe fokusi ka qenë miratimi i një akti të vetëm. Çdo veprim tjetër mund të konsiderohet si përpjekje për të “çmontuar” ligjin për përdorimin e gjuhëve. Këtë nuk duhet lejuar. Ligji ka mekanizmat e vet për zbatueshmëri dhe duhet në vazhdimësi të bëhen përpjekje për zbatim pragmatik të dispozitave ligjore.
Në bazë të kësaj konstatojmë se:
• përdorimi i gjuhës në komisione para miratimit të ligjit për përdorimin e gjuhëve nuk ka mundur të zbatohej vetëm duke u thirrur në amendamentin V, pasi që kjo dispozitë është e karakterit të përgjithshëm dhe parimisht e pazbatueshme (ashtu siç është e formuluar) (sqarim për disa analistë dhe disa “ekspertë” se pse nuk është zbatuar gjuha në komisione para miratimit të ligjit për përdorimin e gjuhëve);
• trajtimi normativ i gjuhës është i mjaftueshëm me dispozitat ligjore të ligjit për përdorimin e gjuhëve, dhe nuk duhet i njëjti të jetë objekt edhe në ndonjë ligj tjetër.
Dhe për fund, me z. Bekim Sali kemi dallime të mëdha politike dhe konceptuale, duke filluar nga legjitimiteti e me radhë, por megjithëse është stomatolog, një gjë e ka thënë sakt: kushtetuta është e qartë dhe ligji për përdorimin e gjuhëve është i qartë. Prandaj, këtu jam në anën e tij kundër ministrit i cili mori më së shumti kritika në Raportin e Komisionit Evropian. Me z. Sali do ta vazhdoj debatin për çështje të tjera, pa kompromis, por këtu, në këtë debat, më ka në krah.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo