Gjyqtari amator gjerman i futbollit, Pascal Kaiser, i cili fundjavën e kaluar i propozoi martesë të dashurit të tij Moric në stadiumin “Rhein Energie” gjatë ndeshjes së Bundesligës mes Këlnit dhe Volfsburgut, është sulmuar fizikisht në shtëpinë e tij.
Kajzeri tërhoqi vëmendje të madhe të publikut kur së fundmi i propozoi martesë partnerit të tij përpara rreth 50 mijë shikuesve.
Megjithatë, vetëm një javë më vonë, Kajzeri u sulmua në shtëpinë e tij, pasi kishte marrë kërcënime eksplicite në të cilat përfshihej edhe adresa e tij.
Kajzeri i raportoi kërcënimet në polici, e cila thuhet se vlerësoi se nuk kishte rrezik të menjëhershëm.
Vetëm 20 minuta pas kësaj përgjigjeje, ndërsa po pinte një cigare në oborrin e tij, Kajzeri u sulmua nga tre burra.
Sulmuesit, siç ka deklaruar ai, ishin të dhunshëm dhe tani ai beson se ky sulm lidhet drejtpërdrejt me propozimin e tij publik për martesë dhe se ishte shënjestër për shkak të këtij akti publik.
Kajzeri beson se ishte në shënjestër pikërisht sepse martesa e tij me partnerin u bë çështje publike, ndërsa ajo që përjetoi shkaktoi reagime dhe dënim në mbarë vendin.