Policia e Maqedonisë së Veriut po heton zhdukjen e ushqimit në vlerë prej 70,000 eurove nga depo e bufesë qeveritare: Ekzistonte vetëm në letër, jo në realitet

Policia e Maqedonisë së Veriut ka nisur një hetim të gjerë për të zbuluar se ku kanë përfunduar produktet ushqimore në vlerë prej rreth 70 mijë eurosh nga magazinat e bufesë qeveritare, të cilat figuronin në dokumente por nuk u gjetën gjatë kontrollit fizik. Sipas raportit të Entit Shtetëror të Revizionit për punën e Shërbimit për Çështje të Përgjithshme dhe të Përbashkëta, regjistrimi i vitit 2024 ka konstatuar një mospërputhje prej 4.2 milionë denarësh mes gjendjes në letra dhe asaj reale. Ndonëse zyrtarët e shërbimit u arsyetuan para revizorëve se bëhet fjalë për humbje natyrore gjatë procesit, dyshimet kryesore janë se këto produkte janë shitur ilegalisht dhe paratë kanë përfunduar në xhepa privatë. Drejtori i SHÇPP-së, Ivica Tomovski, konfirmoi ekzistencën e dallimeve, por refuzoi të jepte detaje të mëtejshme duke ia lënë rastin në dorë Byrosë për Siguri Publike pranë MPB-së.
Përveç skandalit me ushqimet, revizioni ka nxjerrë në pah edhe raste absurde me punësimet në sektorin e aviacionit qeveritar. Është vërejtur se për pozicionin e ndihmës-dispeçerit kërkohet licencë profesionale, ndërsa për pozicionin më të lartë të dispeçerit, ky kusht ishte fshirë nga shpallja. Kjo ka çuar në situatën ku ndihmësi i licencuar është detyruar të mentorojë eprorin e tij të sapopunësuar, i cili nuk kishte licencë dhe u dërgua në trajnim pas punësimit. Tomovski u arsyetua se ky ishte një vendim i trashëguar nga udhëheqësia e kaluar, të cilin ai ishte i detyruar ta nënshkruante për të shmangur penalitetet financiare për institucionin.
Në fund të njoftimit, u bë e ditur se ka filluar edhe procesi i pastrimit të flotës së vjetruar të automjeteve. Plot 104 makina të prishura dhe jashtë përdorimit, që aktualisht zënë hapësirë në parkingun pranë objektit të MRT-së, do të nxirren në shitje për skrap (hekur i vjetër), duke i dhënë fund neglizhencës shumëvjeçare ndaj këtyre mjeteve shtetërore.