Sindikata e Pavarur e Ushtarëve Profesionistë alarmon: Zgjebja në kazermën e Velesit zbulon kushte çnjerëzore në ARM
Sindikata e Pavarur ka alarmuar për kushtet e këqija në kazermat ushtarake pas shfaqjes së sëmundjes ngjitëse zgjebe në kazermën “Aleksë Demnievski-Bauman” në Veles. Sipas sindikatës, kjo situatë ka nxjerrë në pah problemet serioze me kushtet e jetesës dhe punës së ushtarëve profesionistë në kazermat në mbarë vendin.
Nga Sindikata thonë se shfaqja e zgjebes nuk është një rast i izoluar, por pasojë e një neglizhence shumëvjeçare. Sipas tyre, ushtarët profesionistë flenë në ambiente me lagështi dhe insekte, përdorin shtroje të vjetra dhe të papastra, jastëkë të përdorur edhe mbi dy dekada, ndërsa batanijet dhe çarçafët nuk janë ndërruar prej vitesh.
Theksohen gjithashtu kushte johigjienike gjatë përgatitjes dhe shërbimit të ushqimit, përdorimi i enëve të vjetra dhe cilësia e dobët e racioneve ushqimore, si dhe nyje sanitare të amortizuara që nuk janë rinovuar prej më shumë se 15 vitesh. Për më tepër, ushtarët shpesh punojnë në objekte pa energji elektrike.
Sindikata nënvizon se rasti në Veles është vetëm një nga të paktët që ka marrë vëmendje mediatike, ndonëse këto gjendje ekzistojnë prej vitesh edhe në kazermat e tjera. Ata apelojnë që buxheti i rritur i mbrojtjes, në përputhje me detyrimet ndaj NATO-s, të orientohet drejt përmirësimit të kushteve të punës dhe kujdesit për faktorin njerëzor, e jo vetëm për blerjen e pajisjeve ushtarake.
Nga Ministria e Mbrojtjes dhe ARM njoftuan se janë regjistruar dy raste të zgjebes te ushtarë profesionistë të sapopranuar dhe se janë ndërmarrë të gjitha masat shëndetësore për parandalimin e përhapjes së infeksionit.