Ademi: Kur vjen puna te ministri i tyre, Alternativës i humbet gjuha. Nëse janë korekt le ta mbështesin Bekim Sali
Sekretari i përgjithshëm i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Arbër Ademi, ka reaguar lidhur me qëndrimet e fundit të përfaqësuesve të Alternativës, duke i akuzuar ata për mungesë guximi politik dhe standarde të dyfishta në raport me shkeljet kushtetuese.
Sipas Ademit, përfaqësuesit e Alternativës janë të zëshëm vetëm në situata kur nuk rrezikojnë politikisht, ndërsa heshtin kur përballë kanë Ministrin e Drejtësisë dhe një shkelje të qartë të Kushtetutës.
“Kur s’ke guxim t’i thuash asnjë fjalë ministrit tënd, është më e lehtë të bësh filozofi me ‘e morëm vesh’ apo ‘s’e morëm vesh’. Në momentin kur përballë kemi shkelje të qarta kushtetuese, ulet zëri dhe zhduket parimi”, ka deklaruar Ademi, njofton TS.
Ai ka theksuar se nëse Alternativa synon korrektësi institucionale, duhet ta mbështesë publikisht konstatimin e Bekim Salit se Ministri i Drejtësisë nuk e respekton Kushtetutën dhe të angazhohet për zbatimin e saj.
Ademi ka ftuar gjithashtu Alternativën që të mbështesë propozimin ligjor të BDI-së, duke theksuar se ai ofron zgjidhje të qarta dhe konkrete, pa paqartësi juridike apo dilema gjuhësore.
“Presim që këtë herë propozimi të futet në procedurë dhe të mos përfundojë si ligji i Qeverisë së kaluar, i cili u hoq nga rendi i ditës pa asnjë shpjegim. Ironitë janë të lira, por kuraja politike jo për këdo”, ka përfunduar Ademi.