Policia në aksion të madh: Sekuestrohen rreth 27 tonë marihuanë në Shkup dhe Strumicë, sasia më e madhe e kapur ndonjëherë
Aksioni e i madh po zhvillohet nga Ministria e Punëve të Brendshme, nën udhëzimet e Prokurorisë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit. Sasia totale prej rreth 27 tonë marihuanë e bën këtë konfiskim më të madhin e drogës të regjistruar ndonjëherë në Maqedoninë e Veriut.
Aksioni i madh policor i lidhur me rreth pesë tonë marihuanë të sekuestruar javën e kaluar në Serbi është ende në zhvillim, ndërsa fokusi i hetimeve është përqendruar në një rrjet kompanish dhe objektesh në Shkup dhe Strumicë, të cilat dyshohet se janë të përfshira në eksportin e paligjshëm të drogës nga territori i Maqedonisë së Veriut.
Pasditen e sotme, nën masa të rrepta sigurie policore, rreth dhjetë automjete të tipit furgon, pesë deri në gjashtë kamionë dhe disa automjete policore kanë hyrë në kompleksin e ish-fabrikës OHIS në Shkup, ku që nga mbrëmja e kaluar po zhvillohen bastisje intensive. Qasja në lokacion është plotësisht e bllokuar dhe zona është e mbyllur për publikun, njofton TS.
Sipas informacioneve jozyrtare, objekt i bastisjes është kompania “Alfafarm”, e vendosur brenda kompleksit të OHIS-it, e cila lidhet me rastin e marihuanës së sekuestruar në Serbi. Në kuadër të aksionit është arrestuar një nga bashkëpronarët e kompanisë, ndërsa një tjetër dyshohet se ndodhet në arrati. Një prej pronarëve të tjerë është ndaluar më herët gjatë aksionit policor në Serbi.
Kompania “Alfafarm” është themeluar në vitin 2023 dhe në mars të vitit 2024 ka marrë licencë për kultivimin e kanabisit për qëllime mjekësore. Nën hetim janë vënë edhe subjekte të tjera juridike që posedojnë leje për prodhimin e kanabisit mjekësor.
Paralelisht me aksionin në Shkup, bastisje po zhvillohen edhe në disa lokacione në Strumicë dhe rrethinë. Aksioni po koordinohet nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit./TS