BDI Izetin e deshti “qiraxhi”, ai u bë me tre shpij?

Shkruan: Afrim Tanallari

BDI e deshi Izet Mexhitin “qiraxhi”. Një njeri që banon në shtëpinë e partisë, e mban çelësin vetëm sa për të hapur derën kur i thonë, dhe e mbyll prapa vetes pa pyetur kurrë kush e ka ndërtuar, kush e ka shitur. Një “qiraxhi” politik: i dobishëm sa kohë paguan heshtje, disiplinë dhe vota. Por politika shqiptare nuk ka qiraxhinj të përhershëm. Ka vetëm qiraxhinj që një ditë e kuptojnë se kanë paguar shumë për një banesë që nuk është e tyrja.

Dhe pastaj ndodh ajo që BDI e urren më shumë: “qiraxhiu” nis të ndërtojë shtëpi të vetat.
Kjo është drama që po luhet sot në skenën politike shqiptare. Një parti që për dy dekada u mësua të menaxhojë njerëzit si inventar, tani përballet me faktin se njëri prej tyre nuk pranon më të jetë mobilje në sallonin e kryesisë. Dhe kur Izet Mexhiti doli dhe ndërtoi LD-në, nuk bëri vetëm një lëvizje personale. Ai nxori në pah një të vërtetë të hidhur: BDI nuk i ka dashur kurrë njerëzit e vet si partnerë; i ka dashur si qiraxhinj.

Në BDI, “pronar” nuk je kur fiton vota, as kur mbush sallat, as kur rri në terren. “Pronar” je vetëm kur je pjesë e rrethit të ngushtë që ndan pushtetin, ndikimin dhe emërimet. Të tjerët janë qiraxhinj: banojnë në ndërtesën e madhe të BDI-së, por nuk e shohin kurrë bodrumin ku ruhen dokumentet, as katin ku merren vendimet. Dhe kur një “qiraxhi” guxon të kërkojë çelësat e vërtetë, fillon lufta.

Por pyetja që po qarkullon sot në opinion është më therëse: a e deshi vërtet BDI Izetin “qiraxhi”, apo e përdori si qiraxhi derisa t’i mbaronte afati i kontratës? Sepse BDI ka një traditë: kur të duhet dikush, e ngrit. Kur të bëhet rrezik, e shpall tradhtar. Dhe kur të del nga kontrolli, e akuzon se “paska qenë gjithmonë problem”.
Aty qëndron hipokrizia: BDI e sulmon Izetin me frazën “20 vjet ishte me ne”. Po mirë, kush e mbajti 20 vjet? Kush e vendosi në pozita? Kush i dha legjitimitet? Nëse ai paska qenë i papërshtatshëm, atëherë BDI e pranon se për dy dekada ka shitur si “vlerë” atë që sot e quan “gabim”. Nëse ai paska qenë i mirë, atëherë pse sot paraqitet si armik? Të dyja opsionet e nxjerrin BDI-në zbuluar: ose e ka keqmenaxhuar politikën, ose e ka keqpërdorur.
Dhe tani, “qiraxhiu” doli me tre shpij.

Metafora e “tre shpive” Cairi, Saraji dhe Haracina! Është diagnozë e realitetit: kur një figurë e dalë nga brenda ndërton strukturë të re, ajo nuk merr vetëm njerëz; merr rrjete, lidhje lokale, organizim, mënyrë funksionimi. Merr edhe një pjesë të narrativës historike.
Dhe pikërisht këtu BDI e ka frikën reale: jo se LD-ja do ta rrëzojë e vetme, por se do ta ndajë shtëpinë që BDI e ka konsideruar pronë private. Sepse BDI ka jetuar me idenë se është “shtëpia e shqiptarëve”, ndërsa të tjerët janë mysafirë. Kur një anwtarw del dhe ndërton shtëpi të vetën, del edhe gënjeshtra: shtëpia nuk ka qenë kurrë e shqiptarëve – ka qenë e një pakice që e ka menaxhuar çelësin.

Nëse LD-ja do të jetë vërtet alternative, duhet të bëjë atë që BDI nuk e bëri kurrë: llogaridhënie dhe shkëputje nga modeli i pronarit të vetëm. Në të kundërt, rreziku është që sot të kemi thjesht më shumë “shtëpi”, por me të njëjtin plan urbanistik.
Në fund, politika nuk ka nevojë për më shumë shtëpi. Ka nevojë për më pak pronarë.