Këshilli Gjyqësor shkarkon sërish dy gjyqtare të Apelit për rastin „Telekom–Fokusnet“

Këshilli Gjyqësor i Republikës së Maqedonisë, me nëntë vota „për“, ka shkarkuar për herë të dytë gjyqtaret Natasha Savovska Dimitrovska dhe Roza Georgieva nga Gjykata e Apelit në Shkup, të cilat kanë vepruar në lëndën „Telekom–Fokusnet“, ndërsa gjyqtarja e tretë, Jetmire Ajdini, është sanksionuar me gjobë. Ky vendim është përfundimtar dhe nuk ka të drejtë ankese.

​Vendimi u mor pasditen e sotme, në mënyrë unanime, dhe është identik me atë paraprak, edhe pse pas shkarkimit të parë Savovska Dimitrovska pati dorëzuar ankesë në Gjykatën Supreme të Republikës së Maqedonisë, e cila u pranua me udhëzime të qarta që lënda të rishqyrtohej nga Këshilli Gjyqësor.

​Rasti „Telekom–Fokusnet“ zgjat më shumë se dy dekada dhe buron nga padia e provajderit të internetit „Fokusnet“ nga Shtipi kundër kompanisë telekomunikuese „Telekom“.

Gjykata e Apelit kishte sjellë një
aktgjykim me të cilin Telekom u obligua të paguante dëmshpërblim prej rreth katër milionë eurosh. Pas rishqyrtimit, Këshilli Gjyqësor konstatoi shkelje serioze dhe mospërputhje në veprimet e Apelit.

​Gjyqtarja Jetmire Ajdini, pas vërejtjeve të së cilës për veprime të paligjshme u hap procedura, u ka treguar anëtarëve të Këshillit Gjyqësor se ekzistojnë dy procesverbale nga e njëjta seancë, ku njëri prej tyre, sipas pretendimeve të saj, ishte i rremë. Ajo u dënua me gjobë.
​Paralelisht me procedurën disiplinore, Prokuroria Themelore Publike ka hapur një procedurë parahetimore për parregullsi të mundshme gjatë marrjes së aktgjykimit, me çka u hap shtesë pyetja për integritetin dhe përgjegjësinë në gjyqësor.