Guardiola i jep një mësim njerëzimit me fjalimin mbi gjenocidin në Palestinë: Gjithmonë do të ngrihem dhe do të jem kundër tij

Pep Guardiola mbajti një monolog jashtëzakonisht të fuqishëm dhe emocional mbi çështjet humanitare globale përpara përpjekjes së Manchester City për të arritur në finalen e Carabao Cup.

Në një konferencë të jashtëzakonshme për shtyp, trajneri i Cityt sulmoi ashpër administratën Donald Trump pas vrasjeve të Renee Good dhe Alex Pretti në Minneapolis, për të cilat u fajësuan agjentët e ICE-së. Me atë rast, Guardiola iu referua edhe luftërave në Ukrainë, Gaza dhe Sudan, duke theksuar se njerëzimi nuk është përballur kurrë me prova më të qarta të vuajtjeve në të gjithë botën.

“Shikoni çfarë ndodhi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Renee Good dhe infermieri i kujdesit intensiv Alex Pretti u vranë. Më tregoni si mund të justifikohet kjo”, tha fillimisht trajneri 55-vjeçar spanjoll.

Guardiola theksoi se informacioni i sotëm është më i disponueshëm se kurrë, por pavarësisht kësaj, dhuna vazhdon.

“Gjenocidi në Palestinë, lufta në Ukrainë, ajo që po ndodh në Rusi, Sudan dhe në mbarë botën, të gjitha janë para syve tanë. Pyetja është, a duam ta shohim? Këto janë problemet tona si qenie njerëzore”, theksoi ai.

Ai shtoi se është i prekur nga çdo vrasje e njerëzve të pafajshëm, pavarësisht nga partia politike.

“Vrasja e mijëra njerëzve të pafajshëm dhemb. Nuk ka asgjë të komplikuar në lidhje me të, nëse bën diçka të gabuar, shkon në burg. Kur ke një ide dhe duhet ta mbrosh atë, dhe për shkak të kësaj duhet të vrasësh mijëra, mijëra njerëz, më vjen keq, do të ngrihem. Do të jem gjithmonë këtu, gjithmonë”.

Le të kujtojmë se Guardiola kohët e fundit mbante veshur një ‘keffiyeh’, një simbol të rezistencës palestineze, gjatë një koncerti humanitar në Barcelonë, ku shprehu publikisht mbështetjen e tij për Palestinën. Më pas, Këshilli i Përfaqësuesve Hebrenj në Britaninë e Madhe e akuzoi atë për “vënien në rrezik të jetës së hebrenjve britanikë” për komentet e tij mbi Gazën dhe iu drejtua kryetarit të Manchester Cityt, Khaldoon Al Mubarak, për një përgjigje.

“Të fuqishmit janë frikacakë”, Guardiola me fjalim emocional në mbështetje të Palestinës

Ndërkohë, grupet protestuese kanë demonstruar vazhdimisht jashtë stadiumit Etihad, duke i kërkuar pronarit të klubit, Sheikh Mansour, të japë llogari për konfliktin në Sudan. Qeveria sudaneze ka akuzuar Emiratet e Bashkuara Arabe për “bashkëpunim në gjenocid”, të cilin Emiratet e Bashkuara Arabe e hedhin poshtë, por këtë javë njoftuan 20 milionë dollarë ndihmë humanitare për rajonin.

Guardiola e përfundoi me një mesazh emocional.

“Njerëzit që ikin nga vendet e tyre dhe përfundojnë në mërgim, mos pyetni nëse kanë të drejtë apo gabim, shpëtojini. Mund të arrijmë në hënë, mund të bëjmë çdo gjë, por prapë vrasim njëri-tjetrin. Pse? Jeta njerëzore është e vetmja gjë që kemi”, përfundoi Guardiola.