Skandal tronditës: 80 përqind e vajzave të mitura viktima të rrjetit të Epstein dyshohet se vinin nga Ballkani

Avokatja Kathryn Bolkovac, ish-anëtare e ekipit ligjor të Departamentit Amerikan të Drejtësisë, pretendon se “rreth 80% e vajzave të mitura të Jeffrey Epstein, viktima të trafikimit të qenieve njerëzore, vinin nga Ballkani”. Bolkovac është amerikane dhe më herët ka punuar edhe si vëzhguese në Grupin Ndërkombëtar të Policisë së OKB-së në Bosnje dhe Hercegovinë.

Në një tekst të Sibel Edmonds, ish-përkthyese e FBI-së dhe themeluese e faqes investigative NewsBud, thuhet se ditari i udhëtimeve i Epstein, ende i censuruar, tregon më shumë se dhjetë fluturime drejt Ballkanit gjatë mesit dhe fundit të viteve ’90. Kjo periudhë përkon me kohën kur Epstein dhe partnerët e tij izraelitë nisën të ndërtonin rrjete të trafikimit seksual, të lidhura me insajderë kyç në Kombet e Bashkuara. Në vitet që pasuan, anëtarë të këtij rrjeti zunë pozicione të larta në strukturat e OKB-së.

Deri tani, bazuar në publikimin selektiv dhe të kontrolluar të dokumenteve nga qeveria amerikane, janë përmendur tre zyrtarë të lartë të OKB-së: Miroslav Lajčák, Rod Larsen dhe Joanna Rubinstein. Lajčák dha dorëheqje të shtunën nga posti i këshilltarit të kryeministrit sllovak Robert Fico, pasi u publikuan email-et e Epstein, ku shfaqen komunikimet e tij me pedofilin e dënuar.

Kjo listë e shkurtër, sipas autorëve, paraqet vetëm majen e ajsbergut kur bëhet fjalë për trafikimin global të fëmijëve dhe operacionet e inteligjencës të bazuara në shfrytëzim seksual, të lidhura me Epstein. Pikërisht për këtë arsye, Departamenti i Drejtësisë në kohën e Trump dyshohet se ka përjashtuar informacionet për viktimat nga Ballkani, shkallën e lidhjeve të Epstein me zyrtarë të komprometuar të OKB-së, përfaqësues të lartë të Pentagonit dhe periudhën kyçe 1997–2001.

Një raport tjetër rëndues për lidhjen Epstein–Ballkan është anashkaluar nga mediat kryesore dhe figura të njohura në SHBA.

Edhe pse dokumentet janë fort të redaktuara, ato tregojnë një histori pagesash të kryera nga Epstein ndaj personave me mbiemra nga Europa Lindore. Sipas një dokumenti, një raport i grupit për përputhshmëri kundër pastrimit të parave të bankës “JP Morgan”, i përgatitur rreth kohës së dënimit të Epstein në vitin 2008, tregonte se pothuajse dy të tretat e grave viktima të trafikimit për prostitucion në botë vinin nga rajoni.
Ndër vendet e përmendura si burime kryesore të trafikimit të grave janë: Shqipëria, Moldavia, Rumania, Bullgaria, Rusia, Bjellorusia dhe Ukraina. Dokumentet po ashtu pretendojnë se JP Morgan kishte dijeni dhe prova për pagesat e Epstein ndaj disa grave ndërmjet viteve 2003–2008, por megjithatë vazhdoi t’i përpunonte këto transaksione për vite me radhë, duke arritur një shumë totale prej gati 3 milionë dollarësh amerikanë.

Mes grave të përmendura në dokumente është edhe një shtetase rumune, e cila figuron në një dosje që lidhet me Fondacionin COUQ, organizatë jofitimprurëse e përjashtuar nga taksat, ku president ishte vetë Jeffrey Epstein, sipas deklaratës tatimore të fondacionit për vitin 2012. Ajo kishte marrë një transfer mbi 30 mijë euro në një llogari bankare të hapur në Iași. Emri i saj është anonimizuar nga sistemi amerikan i drejtësisë, shkruan Edmonds, e cila publikon edhe intervistën me Kathryn Bolkovac nga viti 2016.

iQOS