Protesta në Manastir- “Kam 30 vjet pa patentë shoferi”, protestuesi kërcënon Policinë: Nëse na prekni makinat, do të ketë vrasje!
Situata në protestat e fundit në Manastir është përshkallëzuar pas deklaratave tronditëse të qytetarëve që kundërshtojnë masat e fundit të Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Demonstruesit, të cilët janë ngritur kundër kontrolleve të rrepta dhe ligjit të ri që parasheh edhe konfiskimin e vetura, kanë paralajmëruar rebelim dhe përplasje të dhunshme me forcat e rendit.
Ajo që ka shkaktuar reagime të shumta është deklarata e njërit prej protestuesve, i cili pranoi publikisht para kamerave se ka drejtuar automjetin pa leje drejtimi për tre dekada me radhë. “Kam 30 vjet që lëviz pa patentë dhe nuk kam bërë asnjë shkelje,” u shpreh ai, duke sfiduar hapur ligjin.
Më tej, protestuesi ka lëshuar kërcënime të rënda ndaj efektivëve të policisë, në rast se këta të fundit do të tentojnë të zbatojnë ligjin për konfiskimin e mjeteve. “Nëse policia tenton të na marrë makinat, këtu do të ketë rrahje dhe vrasje,” paralajmëroi ai, duke pasqyruar tensionin e lartë që mbretëron në rrugët e Manastirit. Protestuesit njoftuan se në ditët në vijim do t’i ashpërsojnë masat e tyre derisa kërkesat e tyre të merren parasysh.