Dosjet “Epstein”: Mostrat e trurit nga Shkupi në New York? Ministria e Shëndetësisë nuk ka lidhje me këto informacione!
Në lidhje me temën aktuale në opinionin publik për studimin shkencor mbi mostrat e trurit ndërmjet Institutit të Mjekësisë Ligjore dhe ASHAM-it, theksojmë se Ministria e Shëndetësisë nuk ka kompetenca të drejtpërdrejta në zbatimin e veprimtarisë shkencore-kërkimore.
Nga Fakulteti i Mjekësisë jemi informuar se veprimtaria shkencore-kërkimore e lidhur me material biologjik që përmban karakteristika gjenetike është subjekt i një rregullimi të rreptë normativ, siç janë Ligji për Veprimtari Shkencore-Kërkimore, Rregullorja për Hulumtime Klinike, Udhëzimi për mënyrën e veprimit gjatë transferimit dhe transportit të materialeve biologjike, si dhe rregullat për paketimin dhe shënjimin e materialeve biologjike.
Gjithashtu, theksojmë se në periudhën e përmendur obligimi ligjor për ruajtjen e kësaj dokumentacioni ka qenë 15 vjet, ndërsa nga viti 2018 e tutje obligimi ligjor për ruajtjen e dokumentacionit është 25 vjet.
Procedura për transportin e indeve në atë periudhë ka përfshirë: dhënien e pëlqimit të informuar nga familja, pas së cilës ka vijuar vendimi i Komisionit Etik për Hulumtime te Njerëzit, për të vazhduar më tej procedura me lejen për eksport të indeve nga Byroja e atëhershme e Barnave, ku është specifikuar qartë se indi përdoret për veprimtari shkencore-kërkimore dhe për cilat qëllime shfrytëzohet materiali.
Në mënyre plotësuese, sqarojmë se kur bëhet fjalë për eksport të materialit biologjik, para fillimit të procedurës është e domosdoshme që ndërmjet institucioneve shkencore në vend dhe jashtë vendit, të cilat kërkojnë miratim për eksport të materialit biologjik, të ekzistojë një marrëveshje formale (memorandum), ku përcaktohen dhe saktësohen protokolle të detajuara në përputhje me rregullativën dhe kornizën normative aktuale. Këto protokolle përfshijnë kushte të rrepta dhe të përcaktuara qartë për çdo veprim me materialin biologjik, arsyen e kryerjes së hulumtimit, si dhe mënyrën e marrjes, transportit, pranimit nga institucioni përkatës dhe trajtimin e mëtejshëm të materialit biologjik.