Policia e Kosovës ka njoftuar qytetarët kosovarë që udhëtojnë në Maqedoninë e Veriut se në shtetin fqinj ka filluar të aplikohet monitorimi i komunikacionit rrugor nëpërmjet një mekanizmi elektronik të quajtur “Qyteti i sigurt”.
Monitorimi bëhet nëpërmjet kamerave inteligjente dhe në fazën e parë do të zbatohet në qytetet si Shkup, Tetovë e Kumanovë si dhe në Korridorin e 8 dhe Korridorin e 10.
Policia e Kosovës ka thënë se për automjetet me targa të huaja, ku bëjnë pjesë edhe ato të Kosovës, nëse konstatohet shkelja përmes sistemit “Qyteti i sigurt”, shoferi do të njoftohet në hyrje apo dalje nga Maqedonia e Veriut.
“Ky sistem në fazën e parë, sipas njoftimit, do të zbatohet në qytetin e Shkupit, Tetovës dhe Kumanovës, si dhe përgjatë Korridorit 8 dhe Korridorit 10, ku do të evidentohen shkeljet si: tejkalim i shpejtësisë së lejuar, kalim në semafor të kuq, ndalim dhe parkim i parregullt si dhe qarkullim me automjet të paregjistruar. Për automjetet me targa të huaja ku bën pjesë edhe Kosova, nëse shtetasi i huaj kryen shkelje të konstatuar nga sistemi “Qyteti i sigurt”, parashihet njoftim gjatë hyrjes dhe daljes nga shteti i Maqedonisë së Veriut. Të drejtën për pagesën e pesëdhjetë për qind të gjobës brenda afatit prej tetë ditësh e gëzojnë edhe qytetarët e huaj, ndërsa në rast mospajtimi me shkeljen ose mosrealizimit të pagesës, iniciohet procedurë kundërvajtëse për të huaj para gjykatës kompetente. Ky njoftim iu adresohet qytetarëve me qëllim të njoftimit, kujdesit dhe respektimit të dispozitave ligjore gjatë shkuarjes dhe qëndrimit në Maqedoninë e Veriut”, ka njoftuar Policia e Kosovës.