BDI: Kultura shqiptare nën majorizim institucional

Të dhënat zyrtare për ndarjen e mjeteve publike për kulturën dëshmojnë një model të konsoliduar majorizimi institucional ndaj kulturës shqiptare në Maqedoninë e Veriut.
Në dramë, folklor dhe botime, kultura shqiptare trajtohet si prani dytësore. Këta sektorë që prodhojnë narrativë, memorie dhe identitet kulturor administrohen sipas një hierarkie të njëanshme, ku kultura maqedone ruan dominimin strukturor, ndërsa ajo shqiptare mbetet sistematikisht në periferi.
Pabarazia bëhet e matshme në sektorët e tjerë strategjikë. Në muzikë, projektet shqiptare përfitojnë 2,518,000 denarë, ndërsa projektet maqedone 19,600,000 denarë, që përkthehet në vetëm 12% të mjeteve për shqiptarët. Këto mjete të kufizuara janë shpërndarë kryesisht përmes mekanizmave partiakë dhe klientelistë, duke e zhveshur financimin nga kriteret profesionale.
Në artet vizuele, shqiptarët marrin 774,000 denarë, kundrejt 12,019,880 denarë për projektet maqedone, pra më pak se 6% të buxhetit – një përjashtim pothuajse total nga fusha e prezantimit bashkëkohor kulturor.
Në projektet ndërkombëtare, kultura shqiptare përfshihet në mënyrë simbolike: 3,758,000 denarë për projekte shqiptare kundrejt 51,050,854 denarë për projekte maqedone, ose më pak se 7%. Në qendrat kulturore shtetërore në Nju Jork, Stamboll, Zagreb, Paris, Sofje dhe Tiranë, shqiptarët përfaqësohen me rreth 10 projekte, ndërsa kultura maqedone me mbi 100 projekte.
Në festivalet dhe manifestimet, projektet shqiptare marrin 13,098,000 denarë, ndërsa ato maqedone 73,288,300 denarë, duke e mbajtur kulturën shqiptare në rreth 15% të mjeteve.
Veçanërisht problematike është gjendja në sektorin e investimeve kulturore, ku institucionet shqiptare përballen me ndarje mizerabile, sporadike dhe pa peshë strukturore, duke mbetur jashtë projekteve kapitale dhe zhvillimit afatgjatë.
Së fundi, duhet theksuar edhe një dimension i qëllimshëm i mungesës së transparencës: mjetet katastrofale që u ndahen institucioneve kulturore shqiptare për realizimin e programeve vjetore mbahen të fshehura dhe nuk publikohen nga Ministria e Kulturës dhe Turizmit. Kjo praktikë jo vetëm që pamundëson kontrollin publik, por shërben për të maskuar nënfinancimin ekstrem dhe për të shmangur përgjegjësinë institucionale.
Në total, nga 220,988,534 denarë të ndarë për kulturë, 30,436,000 denarë u janë ndarë projekteve shqiptare (13.8%), ndërsa 190,552,534 denarë projekteve maqedone (86.2%).
Këto shifra nuk janë gabim administrativ, por dëshmi e një sistemi të qëndrueshëm majorizimi, segregimi dhe mungese transparence, ku kultura shqiptare tolerohet si prani, por mohohet si subjekt i barabartë kulturor dhe institucional.